BE ndryshon rregullat para zgjerimit, Shqipëria mes vendeve që preken nga reforma! Ja çfarë parashikon drafti dhe përfitime
Komisioni Evropian pritet të propozojë një reformë të gjerë të mënyrës së vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, me synimin për ta përshtatur Unionin me një zgjerim të ardhshëm me më shumë se 30 vende anëtare.
Sipas një raportimi ekskluziv të “Rapporteur”, dy dokumente të brendshme të Komisionit Evropian parashikojnë përdorimin e të ashtuquajturave “passerelle clauses”, mekanizma të parashikuar në traktatet e BE-së që mundësojnë kalimin në fusha të caktuara nga votimi me unanimitet në votimin me shumicë të cilësuar, pa ndryshuar Traktatin e Lisbonës.
Kjo do të prekte disa nga fazat ndërmjetëse të procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate.
Megjithatë, sipas dokumenteve të cituara nga Rapporteur, nuk parashikohet heqja e unanimitetit në fillim dhe në fund të procesit të anëtarësimit.
Komisioni argumenton se, me zgjerimin e Unionit, rritet rreziku që vendimet të vonohen ose të bllokohen nga një numër i vogël shtetesh.
Për këtë arsye, dokumentet propozojnë një program pune për përdorimin e klauzolave që mundësojnë ndryshimin e rregullave të votimit.
Ndryshimi i propozuar do të shtrihej edhe në fusha të tjera të politikave të BE-së, përfshirë sanksionet, të drejtat e njeriut, mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe luftën ndaj evazionit fiskal.
Në këto raste do të përdorej votimi me shumicë të cilësuar, i cili kërkon mbështetjen e 15 vendeve që përfaqësojnë të paktën dy të tretat e popullsisë së Unionit, sipas raportimit.
Propozimi pritet të përballet me kundërshtime nga disa vende anëtare, të cilat mund të shqetësohen për humbjen e së drejtës së vetos.
Dokumentet përfshijnë edhe mundësinë e një mekanizmi “emergency brake”, përmes të cilit një qeveri mund të kërkojë ndërhyrje në rast se konsideron se kërcënohen “interesat jetike kombëtare”.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me përbërjen e Komisionit Evropian. Sipas draft-dokumenteve, në një Union të zgjeruar, vetëm rreth dy të tretat e vendeve anëtare do të kishin një komisioner kombëtar. Aktualisht, secili prej 27 vendeve anëtare ka një përfaqësues në Komision.
Draftet parashikojnë gjithashtu mekanizma të rinj mbrojtës për vendet e reja anëtare.
Sipas propozimit, këto vende mund të qëndrojnë nën një regjim të shtuar monitorimi për një periudhë prej dhjetë vitesh ose më shumë pas anëtarësimit.
Gjatë kësaj periudhe mund të përdoren masa ndëshkuese, përfshirë pezullimin e të drejtës së votës në Këshillin e BE-së dhe penalitete financiare, në rast të shkeljeve të standardeve demokratike dhe gjyqësore.
Një tjetër masë e propozuar është nënshkrimi nga vendet e reja të një “angazhimi të përkohshëm” ligjërisht detyrues, përmes të cilit ato do të zotoheshin të mos bllokonin vendimet e miratuara nga pjesa tjetër e Unionit.
Për vendet e reja do të vijonin edhe masat e përkohshme mbrojtëse që lidhen me integrimin në politika të rëndësishme të BE-së, përfshirë drejtësinë, punët e brendshme dhe bujqësinë.
Draftet parashikojnë gjithashtu një mekanizëm të përkohshëm financiar, përmes të cilit Komisioni do të mund të ndërmerrte masa ndaj një vendi të ri anëtar në rast të përkeqësimit të standardeve demokratike ose gjyqësore.
Ndër kushtet e propozuara është edhe anëtarësimi në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila heton mashtrimin dhe keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit.
Ndryshimet do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si BE-ja do të funksiononte pas një zgjerimi të ardhshëm, me vende si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut ndër shtetet që përmenden në kontekstin e procesit të zgjerimit.
Propozimi pritet të prezantohet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të planit për përgatitjen e një Bashkimi Evropian me më shumë se 30 vende anëtare.