Zogaj: Rama e personalizon ngritjen e SPAK, reforma nuk bëhej pa opozitën! I dha mesazh drejtësisë
Analisti Preç Zogaj gjatë diskutimit me temë “Përplasja me drejtësinë, si ka ndryshuar Rama” u shpreh se qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) karakterizohen nga një luhatje e vazhdueshme dhe mungesë konsistence.
Sipas Zogajt, dinamika e marrëdhënieve mes ekzekutivit dhe pushtetit gjyqësor shfaqet me valëzime të dukshme, të cilat kushtëzohen nga zhvillimet politike dhe hetimore në vend.
“Edhe në dritën e këtyre fakteve, të cilat mund të pasurohen me të reja, vërehet se nuk ka një qëndrim konstant, por qëndrime valëzuese që ndryshojnë vazhdimisht. Sigurisht, SPAK-u është një faktor me peshë të madhe në jetën politike dhe institucionale të vendit. Askush nuk mund të presë që kryeministri të jetë i distancuar, indiferent apo t’i shmangë prononcimet për të, pasi kjo nuk do të kishte sens. Pavarësisht se bëhet fjalë për pushtete të pavarura, ato janë pjesë e të njëjtit shtet. Kësisoj, nuk është çudi që kreu i ekzekutivit jep herë pas here konsiderata me tone të ndryshme për pushtetin gjyqësor — një dukuri që shihet edhe në Itali e kudo tjetër,” u shpreh Zogaj për RTSH.
Analisti nënvizoi dy elemente thelbësore që përligjin dhe zbërthejnë retorikën e kreut të qeverisë. Sipas tij, Rama ka një prirje konstante për ta marrë autorësinë e ngritjes së SPAK-ut, duke e paraqitur atë si krijesë ekskluzive të Partisë Socialiste.
Sipas Zogajt, kjo tezë përdoret jo vetëm për konsum publik, por edhe si një mesazh i drejtpërdrejtë trysnie ndaj vetë trupës së prokurorëve të posaçëm: “Ju jeni aty falë meje, prandaj mos e harroni këtë.”
Sipas tij, Reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja u miratuan me konsensus të plotë nga i gjithë spektri politik. Zogaj nëvizoi se, po aq sa nuk bëhej dot pa mazhorancën e kohës, reforma nuk mund të kalonte as pa votat e opozitës, për shkak të natyrës së saj kushtetuese.
Në analizën e tij, Zogaj përfundoi se deklaratat e ndryshueshme të kryeministrit nuk janë spontane, por përbëjnë një strategji të kalkuluar për të mbajtur nën ndikim publik dhe psikologjik ecurinë e punës së SPAK-ut.