Koci: Presidenti dhe ndryshimi i ligjit për Specialen mund të kryhen brenda një dite në Kuvend
Analisti Melazim Koci ka deklaruar në emisionin “Ora 7” të Klan Kosova se çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe ndryshimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të trajtohen si dy procese të ndara, por mund të zgjidhen paralelisht, madje brenda një dite në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Klan Kosova, Koci tha se nuk duhet veçuar njëra çështje si parakusht për tjetrën; partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje për të dyja çështjet dhe pastaj të procedohet në Kuvend. “Unë nuk mendoj që duhet veçuar njërën që të jetë e para dhe pastaj e dyta… kjo nuk e përjashtoj, është e mundur”, u shpreh analisti.
Ai theksoi se çelësi i zgjidhjes është vullneti politik i partive dhe druhet se pikërisht mungesa e këtij vullneti është problemi kryesor. “Absolutisht. Kryesorja është të ketë vullnet politik. Dhe unë druaj që aty është problemi, mungesa e vullnetit politik. Ky është problemi kryesor. Dy çështjet mund të absolvohen”, deklaroi Koci.
Analisti paralajmëroi se nëse palët insistojnë që njëra çështje të trajtohet para tjetrës, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se zgjidhja e të dyjave kërkon marrëveshje paraprake politike dhe jo kushtëzime të ndërsjella.