Ministri Nufi mikpret ambasadorin amerikan: Me SHBA, Shqipëria qëndron krah për krah për lirinë, sigurinë dhe paqen
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka mikpritur Ambasadorin e ri të SHBA në Tiranë, Eric Wendt. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Nufi shprehet se SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri. Ai theksoi se vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të qartë për të bashkëpunuar.
“Ambasador Wendt, mirë se erdhët në Shqipëri. SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të qartë për të bashkëpunuar”, shprehet Ministri Nufi.
Ndër të tjera, në publikimin e tij Nufi shton se Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për Mbështetjen e Vendit Pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore. Nufi nënvizon gjithashtu se Shqipëria është tashmë një kontribuuese aktive për paqen dhe sigurinë:
“Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza – Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen. Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen“, shton ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.