Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›SPAK kontrolle në vilën e biznesmenit izraelit Ron Yeffet! Hetuesit zbarkojnë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes

SPAK kontrolle në vilën e biznesmenit izraelit Ron Yeffet! Hetuesit zbarkojnë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes

Me urdhër të SPAK, janë ushtruar disa kontrolle pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes Kayo. Burime bëjnë me dije se Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë bastisur vilën e biznesmenit shqiptaro-amerikan- izraelit Ron Yeffet dhe ende po ushtrojnë kontrolle.

SPAK ka nisur hetimet kryesisht, pas audiopërgjimeve që publikoi Ahmetaj për trafik armësh.GJKKO ka miratuar po ashtu kërkesën e SPAK për kontroll personal të biznesmenit Yeffet. Kontrolle janë kryer edhe në disa ambiente të tjera, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes ku siç sqarojnë burimet janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve. Edhe kompania TIMAK është pjesë e hetimit intensiv që po kryen SPAK.

Në audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj, ai pretendon se në qendër të bisedave është biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet dhe dy persona të identifikuar vetëm si Igor dhe Sergei. Sipas ish-zv.kryeministrit, bisedat lidhen me një skemë të dyshuar për trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë, ku përmenden edhe KAYO dhe TIMAK.

Komunikimi i bërë publik nga ish zëvendësministri prek disa tema, që nga krijimi i një kompanie të përbashkët me aksioner 20 përqind shtetin, për një projekt energjetik në Delvinë, te një skemë e ngjashme për gazin në Vlorë, ku partnerët ukrainas do të duhet të krijojnë një kompani mbulesë në Shtetet e Bashkuara, deri te biseda që lënë të kuptosh për një trafik të mundshëm armësh e municionesh të prodhuara në Afrikë e që sipas një fraze në audiopërgjim, paketimi do të bëhej në Shqipëri.

Gjatë bisedave dëgjohen herë pas here referenca për KAYO-n dhe Timak-un, kompaninë në të cilën Yeffet është partner me 49 përqind dhe Arjeta Puca ka 51%. Timak ka hyrë në partneritet me ndërmarrjen shtetërore ushtarake Kayo, ku ka 80 përqind të Timak Defence. Yeffet dhe Puca kanë në bashkëpronësi në Shqipëri edhe kompani të lidhura me Timac si TIMAK AVIATION, UNO18 në fushën e prodhimit dhe shitjes së armëve e disa kompani të tjera.

Lini një koment