Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Si të dalloni një kamerë të fshehtë? Eksperti demonstron live: Kamera në çantë filmon dhe regjistron audio

Si të dalloni një kamerë të fshehtë? Eksperti demonstron live: Kamera në çantë filmon dhe regjistron audio

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, eksperti i sigurisë Fatjon Softa solli në studio një çantë, në të cilën ishte implementuar një kamerë e fshehtë, e lidhur me Wi-Fi.

Eksperti demonstroi live mënyrën se si funksiononte kamera e vogël, e cila ishte montuar në çantë dhe, sipas tij, nuk dallohej fare. Ai tregoi se kamera e fshehtë filmonte dhe regjistronte si video, ashtu edhe audio.

“Kjo kamerë regjistron dhe video dhe audio. Mund ta kesh te kollarja, te kapelja ose te syzet”, tha ai.

Eksperti tregoi gjithashtu një sërë objektesh ku mund të vendosen kamera spiune. Sipas tij, kamerat mund të vendosen në sensorët e alarmit, si dhe në detektorët e tymit.

“Kamera mund të vendosen gjithashtu në gotat e ujit, shishet, priza, karikues, mbajtëse sapuni, pasqyra, orë muri, orë dore, çanta dhe në vende të pafundme por edhe në kondicionerë”, tha ai.

Përveç videokamerave, ai tha se ka edhe pajisje audio që mund të përdoren për të përgjuar dhe për të dëgjuar bisedat dhe atë që po flitet.

Eksperti tregoi gjithashtu se ka edhe videokamera që vendosen tek vidat që mbajnë pikturat ose kornizat e varura në mur. Sipas tij, këto kamera mund të funksionojnë edhe në kushte errësire, pasi kanë sensorë infra të kuqe.

“Në rastet kur ndodheni në një dhomë dhe mbyllni perdet duke krijuar errësirë. Për të kuptuar nëse në një ambient mund të ketë një kamerë, përdoret blici i telefonit për të kërkuar reflektime në vendet ku dyshohet se mund të jetë vendosur kamera. Edhe pa blic mund të dallohet një pikë që bëhet vjollcë, gjë që mund të tregojë praninë e një kamere”, tha ai.

Lini një koment