Byrotë e kreditit: Si mund të lehtësojnë aksesin në financim për bizneset dhe individët
Intervistë me Fabrizio Fraboni, Drejtor i Përgjithshëm i ACCIS, Shoqatës Europiane të Ofruesve të Informacionit për Kreditin Konsumator
Krijimi i byrove private të kreditit pritet të sjellë një hallkë të re në tregun financiar shqiptar, duke u dhënë bankave dhe institucioneve të tjera financiare më shumë informacion për të vlerësuar rrezikun e huamarrësve dhe për të marrë vendime më të shpejta për kreditimin.
Byroja nuk do të zëvendësojë Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë, por do ta plotësojë atë me një gamë më të gjerë të dhënash dhe shërbimesh analitike.
Fabrizio Fraboni, ekspert ndërkombëtar në infrastrukturën financiare, thotë në një intervistë për “Monitor” se roli i saj pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për individët, bizneset e vogla dhe sipërmarrjet e reja që kanë pak histori krediti ose kolateral të kufizuar.
Një historik i dokumentuar i pagesave dhe detyrimeve mund t’i ndihmojë këta huamarrës të provojnë aftësinë e tyre për të shlyer kredinë, ndërsa huadhënësit të mbështeten më shumë te sjellja financiare dhe më pak vetëm te kolaterali.
Fabrizio Fraboni është ekspert ndërkombëtar me mbi 30 vjet përvojë në infrastrukturën financiare, vlerësimin kreditor dhe menaxhimin e rrezikut.
Ai ka punuar në Grupin e Bankës Botërore, ku ka mbështetur zhvillimin e sistemeve të raportimit kreditor në më shumë se 30 vende të Europës, Azisë Qendrore, Azisë dhe Afrikës. Aktualisht është Drejtor i Përgjithshëm i ACCIS, Shoqatës Europiane të Ofruesve të Informacionit për Kreditin Konsumator.
Grupi i Bankës Botërore po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për krijimin e byrove të kreditit, me qëllim zgjerimin e mundësive për të marrë financim. Përse është e rëndësishme kjo reformë për Shqipërinë dhe si do të kthehet kjo në më shumë mundësi kreditimi për bizneset dhe individët?
Tregjet e kredisë gjenden gjithmonë përpara një problemi themelor: huadhënësi di më pak për huamarrësin se ç’di vetë huamarrësi për veten ose biznesin e tij. Një informim më i mirë e zvogëlon këtë asimetri informacioni.
Kjo vlen veçanërisht për individët, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe bizneset e reja. Kur huadhënësi ka informacion më të plotë dhe në kohën e duhur, ai mund të vlerësojë më mirë nivelin e rrezikut.
Gjithashtu u jep mundësi huamarrësve me pozita solide të sigurojnë financim, edhe kur kanë kolateral të kufizuar ose kur nuk kanë raporte afatgjata me institucionin financiar.
Shqipëria është relativisht përpara sa i takon infrastrukturës së raportimit kreditor, pasi Banka e Shqipërisë prej më shumë se një dekade përdor me sukses regjistrin e kredisë.
Ndaj krijimi i një sektori privat të raportimit të vlerësimit të kreditit duhet parë si një zhvillim i mëtejshëm dhe i natyrshëm i ekosistemit ekzistues të shkëmbimit të të dhënave dhe jo si zëvendësues i tij.
Ndër përfitimet kryesore të byrosë private të kreditit është aftësia për ta zgjeruar vazhdimisht gamën e informacioneve në dispozicion të huadhënësve dhe për ta integruar këtë informacion në shërbime dhe instrumente analitike të cilat mund të mbështesin një proces më të mirë dhe më të shpejtë të pranimit të klientëve dhe të marrjes së vendimeve për kreditimin.
Suksesi i byrosë private të kreditit varet nga pjesëmarrja aktive e institucioneve financiare, veçanërisht e bankave si kontribuuesit dhe përdoruesit kryesorë të informacionit kreditor.
Angazhimi i tyre në shkëmbimin dhe përdorimin efektiv të të dhënave është thelbësor për përmirësimin e vlerësimit të rrezikut, përshpejtimin e vendimmarrjes për huadhënie dhe rritjen e aksesit në financim..
Por, nuk duhet të merret si e mirëqenë që me krijimin e një byroje krediti automatikisht të gjithë do të marrin më shumë kredi ose normat e interesit do të bien menjëherë. Vendimi për miratimin ose jo të kredisë do t’u mbetet në dorë institucioneve financiare.
Ajo që ndryshon është cilësia e informacioneve mbi të cilat mbështetet kjo vendimmarrje, dhe që siguron një vlerësim më efikas të rrezikut, një konkurrencë më të fortë mes huadhënësve dhe një rritje të përgjegjshme të mundësisë për të marrë financim.
A mund të jetë një biznes efikas byroja e kreditit në një treg të vogël si Shqipëria? Sipas përvojës së BE-së dhe asaj ndërkombëtare, çfarë do të siguronte që byrotë e kreditit të vendosnin tarifa të përballueshme për raportet kreditore, duke ditur që këto tarifa në fund u kalohen huamarrësve? Në krahasim me sistemin e tanishëm, çfarë do të ndryshojë praktikisht për individët dhe bizneset që kërkojnë kredi? Kush do ta paguajë raportin kreditor të përgatitur nga byroja e kreditit? A do të krijojë kosto shtesë për huamarrësit marrja dhe përdorimi i raporteve kreditore?
Një pyetje, së cilës disa vite më parë ndoshta do t’i kisha dhënë një tjetër përgjigje. Historikisht, raportimi kreditor privat është zhvilluar më së shumti në ekonomitë e mëdha, ku vëllimi i veprimeve me kreditë mund të mbështeste koston relativisht të lartë të infrastrukturës teknologjike të nevojshme.
Një pjesë të konsiderueshme e kostove i kanë fikse: duhen mirëmbajtur teknologjia, siguria kibernetike, cilësia e të dhënave, respektimi i rregullave ligjore dhe infrastruktura analitike, pavarësisht nëse vendi ka një milion apo njëzet milionë huamarrës.
Megjithatë, kostot teknologjike kanë rënë, ndërsa kapaciteti i përpunimit dhe ai i ruajtjes së të dhënave është rritur shumë, sidomos me zhvillimin e zgjidhjeve në cloud. Për pasojë, ky sektor është zgjeruar me sukses në tregje më të vogla në rang botëror.
Një tjetër faktor kryesor nxitës është zhvillimi i rrjeteve ndërkombëtare të subjekteve të specializuara, që mund të shfrytëzojnë ekonominë e shkallës në fusha të tilla si teknologjia, zhvillimi i produkteve dhe administrimi i shërbimeve.
Grupi i Bankës Botërore ka mbështetur zhvillimin e infrastrukturave private të raportimit kreditor në tregje të ngjashme në madhësi me Shqipërinë në Azinë Qendrore dhe Azi-Paqësorin, ndërsa në Europë byrotë private të kreditit ushtrojnë me sukses aktivitet në tregje edhe më të vogla, siç janë shtetet baltike, Islanda, Qiproja dhe Moldavia.
Tashmë, modeli ekonomik i një byroje moderne krediti nuk varet thjesht nga shitja e raporteve kreditore bazë. Këto byro ofrojnë shërbime me vlerë të shtuar, si vlerësimi i cilësisë së kreditit, parandalimi i krimit ekonomik, ndjekja e portofolit, verifikimi i identitetit dhe instrumentet në mbështetje të vendimmarrjes, që kontribuojnë ndjeshëm në qëndrueshmërinë e biznesit.
Byrotë moderne e zgjerojnë gjithnjë e më shumë bazën e klientëve, edhe përtej sektorit financiar, me produkte në fusha si kreditimi i tregtisë dhe veprimet ndërkufitare.
Sa u takon çmimeve, kostoja e shërbimeve të raportimit kreditor është vetëm njëri komponent i procesit të përgjithshëm të vlerësimit kreditor të huadhënësit dhe në përgjithësi përballohet nga huadhënësi si pjesë e kostove të shfrytëzimit.
Ka edhe një stimul të rëndësishëm ekonomik këtu: byroja nuk do të përfitonte po të kishte një shtrenjtim të panevojshëm të raportit kreditor bazë. Meqenëse raportimi kreditor mbështetet te vëllimi, një model çmimi i drejtpeshuar do të nxisë përdorimin më të gjerë të shërbimit dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë afatgjatë të byrosë.
Për huamarrësit, nuk do të prisja ndonjë përkeqësim në përvojën e tyre si klientë.
Një klient me një historik të mirë shlyerjeje kredie duhet të ketë gjithnjë e më shumë mundësi t’ia dëshmojë këtë historik huadhënësit me të cilin nuk ka pasur raporte të mëparshme, pavarësisht nga sasia e kolateralit fizik që ka në dispozicion. Pra, mendoj se përvoja e klientit do të përmirësohej e nuk do të bëhej më e ndërlikuar.
Edhe një herë, në një sistem të ndërtuar mirë, kostoja e marrjes së informacioneve kreditore dhe shërbimeve përkatëse përbën veçse një komponent të vogël të kostos së përgjithshme të përpunimit të kërkesës për kredi dhe nuk duhet të jetë pengesë shtesë për marrjen e financimit.
Shumë biznese të vogla dhe individë në Shqipëri kanë pak ose aspak historik zyrtar krediti. Si mund t’i ndihmojnë byrotë private të kreditit këta huamarrës të marrin financim dhe të ndërtojnë një historik financiar?
Është, në fakt, një nga fushat ku byrotë private të kreditit historikisht kanë dhënë kontributin e tyre më të fortë.
Një biznes i vogël, një person fizik a një individ pa një kredi të mëparshme bankare shpesh përshkruhet si person me “fishë të hollë krediti”, që do të thotë se ka pak ose aspak informacion në lidhje me sjelljen e tij debitore.
Edhe këtu ka një stimul të rëndësishëm ekonomik: mungesa e informacioneve nuk do të thotë që huamarrësi është me rrezik. Kjo do të thotë vetëm që huadhënësi vetë nuk ka informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar siç duhet rrezikun brenda politikave të kreditit.
Fatkeqësisht, nga perspektiva e huadhënësit, vetë pasiguria e ka një kosto.
Një sistem efikas i raportimit kreditor mund t’i japë gradualisht zgjidhje këtij problemi duke përfshirë, aty ku lejohet ligjërisht dhe ku ia vlen të përdoret, një paketë më të gjerë informacionesh që shkojnë përtej kredive tradicionale bankare.
Shlyerjet e rregullta dhe në afat të detyrimeve mund të shndërrohen kështu në atë që shpesh quhet “kolateral në formë reputacioni”. Huamarrësi i cili mund të mos ketë pasuri të konsiderueshme fizike, mund të dëshmojë gjithsesi një përgjegjshmëri financiare.
Kjo mund të vlejë sidomos për të rinjtë, për mikrondërmarrjet, për personat fizikë dhe NVM-të.
Por duhet theksuar se përdorimi i të dhënave alternative nuk nënkupton doemos “më shumë të dhëna”.
Të dhënat e përdorura duhet të jenë të sakta, të duhura dhe që mundësojnë parashikime, të mbledhura dhe të përpunuara sipas bazës së duhur ligjore dhe konsumatorët duhet të kenë në mënyrë efektive të drejtë për të parë dhe për të korrigjuar informacionin mbi ta. Qëllimi është përfshirja financiare dhe jo krijimi i një liste të dhënash jashtë kontrollit.
Si mund të kontribuojë krijimi dhe funksionimi i byrove private të kreditit në uljen e informalitetit në ekonomi, që, sipas vlerësimeve të ndryshme, ende konsiderohet relativisht i lartë në Shqipëri?
Byroja e kreditit nuk mund t’i japë zgjidhje e vetme problemit të informalitetit, por mund të krijojë një stimul ekonomik shtesë për individët dhe për bizneset që këta të veprojnë brenda ekonomisë formale.
Formalizimi fiton vlerë ekonomike kur dokumentimi i veprimeve financiare dhe përmbushja në kohë e detyrimeve ndihmojnë në ndërtimin e një profili financiar të besueshëm. Për NVM-të, kjo rrit mundësinë për të dëshmuar aftësi huamarrëse dhe krijon nxitje për të kaluar nga veprimet informale në transaksione të dokumentuara.
Ka edhe një efekt më të gjerë. Informacionet më të mira u japin mundësi huadhënësve të mbështeten disi më pak te kolaterali dhe te raportet personale dhe gjithnjë e më shumë te sjellja financiare e dokumentuar dhe te kapaciteti i shlyerjes së kredisë.
Kjo mund të krijojë një qerthull pozitiv: një formalizim më i madh sjell informacione më të mira; informacionet më të mira e përmirësojnë vlerësimin e rreziqeve; dhe një vlerësim më i mirë i rreziqeve mund të rrisë mundësinë për të marrë financim nga burime formale.
Si do të duhej të vinte në drejtpeshim korniza rregulluese konkurrencën dhe mbrojtjen e të dhënave në byrotë private të kreditit, sidomos po të kemi parasysh arritjen e drejtpeshimit mes përqendrimit të tregut dhe konkurrencës në një treg relativisht të vogël?
Kjo është një pyetje me rëndësi, sepse raportimi kreditor nuk është treg konvencional. Në Europë shohim një numër të kufizuar operatorësh të mëdhenj, madje edhe në ekonomi të mëdha si Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia.
Konkurrenca është e rëndësishme sepse nxit shërbime më të mira, novacion dhe çmime konkurruese. Në të njëjtën kohë, byrotë e kreditit kanë shumë nevojë për ekonominë e shkallës dhe për efektin e rrjetit. Byroja e kreditit bëhet më e dobishme sa më shumë huadhënës të kontribuojnë me të dhëna dhe sa më shumë huamarrës të mbulohen.
Prandaj, në një treg sidomos me përmasat e Shqipërisë, ku një faktor i rëndësishëm është qëndrueshmëria ekonomike, një numër më i madh byrosh nuk do të thotë automatikisht konkurrencë më efektive. Një numër i tepruar subjektesh mund ta fragmentojnë informacionin, mund të rrisin kostot dhe të cenojnë plotësinë e bazave të të dhënave.
Mendoj se, objektivi i rregullimit nuk duhet të jetë maksimizimi i numrit të byrove të kreditit që licencohen. Përkundrazi, duhet të sigurohet një treg i hapur, ku të hyjnë e të konkurrojnë vetëm operatorët e kualifikuar që përmbushin standardet e kërkuara të qëndrueshmërisë financiare, aftësisë teknike, drejtimit të brendshëm, sigurisë kibernetike, vazhdimësisë së punës dhe mbrojtjes së të dhënave.
Njëherazi, konkurrenca nuk mund të bëhet kurrë në kurriz të mbrojtjes së të dhënave. Informacionet kreditore janë informacione delikate. Lypsen rregulla të forta për cilësinë e të dhënave, qëllimet e lejueshme, sigurinë, afatin e mbajtjes së të dhënave, të drejtën e konsumatorit për të parë të dhënat e veta, korrigjimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ndaj, shumë i rëndësishëm është roli i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave në Shqipëri: për të siguruar respektimin e parimeve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar të mbrojtjes së të dhënave dhe mbikëqyrjen efektive të subjekteve të cilat trajtojnë të dhëna personale delikate.
Sipas mendimit tuaj, a parashikon projektligji i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dispozita të mjaftueshme për licencimin dhe mbikëqyrjen e byrove të kreditit dhe për sigurimin e transparencës, konkurrencës së drejtë dhe çmimeve të arsyeshme për konsumatorët dhe për institucionet financiare?
Projektligji përbën një hap shumë të rëndësishëm përpara. Në qoftë se kërkon të zhvillojë një sektor privat të raportimit kreditor, Shqipërisë i nevojitet një kuadër i qartë ligjor.
Është e nevojshme që rregulluat e lojës t’i dinë të gjithë: konsumatorët, bizneset, huadhënësit, rregullatorët dhe vetë byrotë e kreditit.
Kush mund të ushtrojë aktivitet si byro krediti? Cilat informacione mund të mblidhen? Kush mund të ketë të drejtë hyrje në to? Me ç’qëllim? Si mbrohen këto informacione? Çfarë mund të bëjë dikush në qoftë se informacionet që mbahen lidhur me të janë të pasakta?
Janë këto çështjet bazë për çdo sistem modern të raportimit kreditor. Projekti i tanishëm i trajton këto çështje themelore dhe krijon bazën për një sektor privat të ekuilibruar dhe transparent të raportimit kreditor.
Projektligji mbështetet në praktikat e mira ndërkombëtare dhe standardet europiane, duke marrë parasysh edhe kontekstin shqiptar. Në të përfshihen dispozita të rëndësishme për të drejtat e subjekteve të të dhënave dhe mekanizma të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, për mbrojtje nga diskriminimi në të drejtën e përfitimit të shërbimeve të raportimit kreditor, garanci të forta për mbrojtjen e të dhënave, si dhe fleksibilitet të mjaftueshëm për të mundësuar novacione.
Projektligj është hartuar duke vënë në drejtpeshim interesat e grupeve përkatëse të interesit.
Si do të financohet në praktikë sistemi i byrove të kreditit? Kush do ta mbulojë koston e raporteve kreditore dhe të shërbimeve përkatëse: institucionet financiare, bizneset apo individët? Çfarë masash do të merren për të siguruar që kostot të mbeten të arsyeshme dhe të mos shndërrohen në pengesë shtesë për huamarrjen?
Modeli ekonomik bazë është në fakt mjaft i thjeshtë. Byrotë private të kreditit funksionojnë si shoqëri tregtare. Klientë kanë kryesisht institucionet të cilat përdorin të dhënat kreditore dhe shërbimet analitike përkatëse për të marrë vendime, për të dhënë ose kredi ose për administrimin e rreziqeve.
Një bankë, një institucion mikrokredie ose ndonjë kreditor tjetër i autorizuar do t’i jepte një pagesë byrosë kundrejt raporteve kreditore, vlerësimeve të cilësisë kreditore ose shërbimeve të tjera që përdor.
Në varësi të shërbimeve të ofruara dhe të kuadrit ligjor në fuqi, shërbimet e byrosë mund t’i përdorin edhe sektorë të tjerë si telekomunikacioni, ndërmarrjet furnizuese të ujit apo energjisë elektrike.
Sigurisht, nga këndvështrimi ekonomik, të gjitha kostot e shfrytëzimit të cilat i lindin institucionit financiar bëhen pjesë e strukturës së fundme të kostove totale. Por nuk do të ishte e saktë të thuhej se ka doemos një tarifë specifike të byrosë së kreditit, e cila i kalohet automatikisht në mënyrë të drejtpërdrejtë secilit huamarrës.
Çështja që ngrihet është nëse një informacion më i mirë kreditor krijon vlerë më të madhe se kostoja që sjell.
Në qoftë se një raport kreditor i jep mundësi huadhënësit ta analizojë më shpejt kërkesën për kredi, të bëjë më pak verifikime manuale, të zbulojë mashtrimet, të shmangë kreditë e këqija dhe të vlerësojë më saktë rrezikun e kredisë, atëherë ky informacion mund ta ulë koston totale të procesit të huadhënies.
Sa i takon konsumatorit, një infrastrukturë efikase për shkëmbimin e informacioneve kreditore mund të ndihmojë edhe në zbutjen e problemit të mbingarkesës me borxhe, sidomos kur ndërthuret me programe efektive të edukimit dhe aftësimit financiar.
Konsumatorët duhet të kenë të drejtat e duhura për të parë informacionet e tyre kreditore në mënyrë të thjeshtë dhe të përballueshme financiarisht, veçanërisht për të verifikuar saktësinë e tij ose për të kërkuar korrigjime.
Rrjedhimisht, sistemi do të duhej të mendohej në atë mënyrë që raportimi kreditor ta rritë mundësinë për të marrë financim e jo të bëhet kosto administrative shtesë ose pengesë për marrjen e kredisë.
Shumë vende europiane kanë dekada që kanë byro private krediti. Cilat mësime të përvojës europiane janë më aktuale për Shqipërinë dhe çfarë përfitimesh kanë sjellë këto sisteme në aspektin e mundësisë për të marrë financim, konkurrencës dhe huadhënies së përgjegjshme?
Nuk ka një recetë të njëjtë për të gjithë dhe ndoshta mësimi i parë nga Europa është se nuk ka një model unik europian të raportimit kreditor.
Përvoja botërore tregon se regjistrat publikë të kreditit dhe byrotë private të kreditit bashkëjetojnë me sukses, me kusht që të jenë të përcaktuara qartë rolet dhe funksionet përkatëse dhe që të dyja anët të kontribuojnë në ekosistemin kombëtar të shkëmbimit të të dhënave.
Regjistrat publikë të kreditit shërbejnë kryesisht për objektivat e politikës publike, përfshirë kontrollin dhe mbikëqyrjen bankare, stabilitetin financiar, analizën mikroprudenciale dhe makroprudenciale dhe kërkesat statistikore, ndërsa byrotë private të kreditit mbështesin vendimmarrjen për huadhënien, administrimin e rreziqeve, parandalimin e krimit ekonomik dhe zhvillimin e shërbimeve analitike.
Pavarësisht modelit institucional, sistemet e suksesshme kanë thuajse të njëjtat elemente bazë: informacione të plota dhe të sakta, reciprocitet në shkëmbimin e të dhënave, rregulla të qarta se kush mund të hyjë në të dhëna dhe për çfarë qëllimi, mbrojtje të fortë të dhënave, të drejta të konsumatorëve dhe teknologji të përparuar për administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave.
Mësimi i dytë është se rëndësi kanë informacionet pozitive. Një sistem raportimi kreditor nuk është një “listë e zezë” huamarrësish që nuk shlyejnë kredinë. Mbajtja shënim e sjelljes së mirë në shlyerjen e të gjitha shërbimeve financiare dhe, sipas rastit, edhe jofinanciare, u jep mundësi huamarrësve të përgjegjshëm të krijojnë një reputacion financiar dhe u jep huadhënësve një pamje shumë më të drejtpeshuar të rrezikut.
Së treti, një byro moderne krediti është shumë më tepër se një bazë të dhënash. Vlera e vërtetë është te shndërrimi i të dhënave në informata të përpunuara: cilësia e kreditit, parandalimi i krimit ekonomik, ndjekja e portofolit, analizat dhe instrumentet e mbështetjes së vendimeve.
Së katërti, shkëmbimi i informacioneve kreditore fuqizon konkurrencën, por edhe ndihmon transformimin digjital të sektorit financiar.
Një sistem i mirë raportimi kreditor e bën të mbartshëm historikun e kreditit të një klienti dhe i jep mundësi huadhënësit me të cilin ky klient nuk ka raporte të mëparshme ta vlerësojë në mënyrë më efektive.
Në fund, e unë mendoj se kjo ka sidomos rëndësi për Shqipërinë, huadhënia e përgjegjshme është po aq e rëndësishme sa gjithëpërfshirja financiare. Një sistem i mirë raportimi kreditor duhet t’i ndihmojë huadhënësit të identifikojnë klientët që mund të marrin në mënyrë të përballueshme kredi shtesë, por edhe ata që mund të jenë ngarkuar tashmë me nivele të larta borxhi.
Pra, objektivi nuk është thjesht rritja e kreditimit. Objektivi është një kreditim i mbështetur në informim më të mirë, në nivele më konkurruese dhe në mënyrë më të përgjegjshme, për një pjesë më të gjerë të ekonomisë.