Elseid Hysaj gjen një tjetër destinacion në Europë, klubi spanjoll nis lëvizjet për transferimin e shqiptarit
Elseid Hysaj mund t’i japë fund periudhës pa skuadër dhe të rikthehet në futbollin europian, këtë herë në kampionatin spanjoll. Mbrojtësi 32-vjeçar i Kombëtares shqiptare ka përfunduar në listën e Elches, klub që kërkon të përforcojë repartin defensiv.
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Elches po përgatisin një ofertë kontraktuale për futbollistin shkodran, i cili është lojtar i lirë që prej 30 qershorit 2026, kur përfundoi marrëveshja e tij me Lazion.
Hysaj kishte qenë më parë edhe në diskutimet e Bolognës, por klubi italian vendosi të orientonte zgjedhjen drejt Matteo Darmianit, duke mbyllur mundësinë e transferimit të shqiptarit.
Megjithatë, mungesa e një klubi nuk e ka larguar Hysajn nga Kombëtarja shqiptare. Aktivizimet e fundit me kuqezinjtë i kanë shërbyer mbrojtësit për të ruajtur ritmin e ndeshjeve dhe për të treguar gjendjen e tij fizike përpara klubeve të interesuara.
Vetë futbollisti ka konfirmuar se po zhvillon bisedime me disa skuadra, por nuk ka bërë publik asnjë emër dhe as ndonjë marrëveshje konkrete.
Për momentin, Elche mbetet një nga mundësitë për vazhdimin e karrierës së Hysajt. Klubi spanjoll ende nuk ka zyrtarizuar ofertë apo marrëveshje, ndërsa mbrojtësi shqiptar vazhdon të kërkojë skuadrën ku do të luajë pas përfundimit të aventurës me Lazion.