Gjermania i mban sanksionet ndaj Rusisë pavarësisht njoftimit të Trump për dizelin rus
Gjermania ka deklaruar të shtunën se do t’i mbajë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se administrata e tij ka pezulluar përkohësisht sanksionet amerikane mbi karburantin rus.
Siç njofton Reuters, zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius deklaroi në një prononcim se qeveria federale “ka marrë parasysh vendimin amerikan në lidhje me dërgesat ruse të dizelit”, por theksoi se pozicioni i Berlinit mbetet i qartë: “qeveria federale mbetet e përkushtuar ndaj vendimeve për sanksionet ndaj Rusisë dhe po punon me partnerët evropianë për sanksione të tjera”.
Sipas Reuters, Kornelius shtoi gjithashtu se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën mbetet e pandryshuar dhe se përpjekjet diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje do të vazhdojnë.
Trump njoftoi të premten se Rusia kishte rënë dakord të furnizonte tregjet globale me dizel në përpjekje për të ulur çmimet e karburanteve, dhe se administrata e tij kishte pezulluar përkohësisht sanksionet amerikane mbi karburantin rus — sanksione të vendosura për t’i mohuar Moskës të ardhurat që financojnë luftën e saj në Ukrainë. Siç shkruan Reuters, çmimet e dizelit, që përdoret për bujqësi, ngrohjen e shtëpive dhe transportin me kamionë, janë rritur në nivele afër rekordeve, duke përbërë rrezik për republikanët e Trumpit përpara zgjedhjeve të Kongresit të 3 nëntorit, që do të përcaktojnë nëse ata do të ruajnë kontrollin e ngushtë të Kongresit.
Kancelari Friedrich Merz, i cili vizitoi Kievin fundjavën e kaluar, ka thënë vazhdimisht se Gjermania, donatori më i madh evropian i Ukrainës, nuk do të pakësojë mbështetjen për qeverinë e Kievit, shkruan Reuters.