Trump mbron marrëveshjen e dizelit me Rusinë: Kritikët republikanë “nuk mund të jenë seriozë”
Presidenti amerikan Donald Trump mbrojti të hënën marrëveshjen për furnizimin me dizel rus, duke hedhur poshtë kritikat e disa senatorëve republikanë dhe duke thënë se marrëveshja ndihmon fermerët amerikanë dhe pjesën tjetër të botës.
Sipas Washington Examiner, Trump foli me gazetarët përpara se të nisej nga Shtëpia e Bardhë drejt Ohios për një tubim fushate dhe tha për kritikët republikanë se ata “nuk mund të jenë seriozë”. Marrëveshja e shpallur javën e kaluar pas bisedës me presidentin rus Vladimir Putin parashikon që Rusia të eksportojë në SHBA afro 5 milionë tonë dizel, nga të cilat 300 mijë tonë në mënyrë të menjëhershme.
Kundërshtimi brenda partisë së tij ka ardhur nga senatorët Lisa Murkowski, Susan Collins, John Curtis dhe Thom Tillis. Trump argumentoi se SHBA prodhon shumë naftë dhe mund ta mbante të gjithë dizelin për vete, por një kufizim i tillë, sipas tij, do të godiste rëndë pjesën tjetër të botës, ndërsa marrëveshja ndihmon fermerët dhe blegtorët amerikanë. Administrata e sheh furnizimin rus si një masë për të zbutur çmimet e larta të karburanteve pak javë para zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit.
Kritika ka ardhur edhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se marrëveshja e vështirëson përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Trump, siç njofton Washington Examiner, iu përgjigj duke thënë se Zelensky duhet të përqendrohet vetë te arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.