Monday, 12 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Trump: Mund të takohem me Kim Jong Un gjatë udhëtimit në Azi muajin e ardhshëm

Trump: Mund të takohem me Kim Jong Un gjatë udhëtimit në Azi muajin e ardhshëm

Presidenti Donald Trump la të hapur mundësinë e një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë udhëtimit të tij në Azi muajin e ardhshëm. Deklarata u bë të hënën në mbrëmje, në një prononcim të shkurtër për gazetarët, siç njofton Washington Examiner.

Trump foli me gazetarët gjatë rrugës për në bazën Joint Base Andrews, përpara se të nisej për në një tubim elektoral në Youngstown të Ohajos. I pyetur nëse do të takohej me Kim-in gjatë udhëtimit aziatik, ai u përgjigj shkurt se një takim i tillë mund të ndodhë, duke shtuar se marrëdhëniet mes tyre janë të mira.

Nuk është hera e parë që presidenti amerikan e përmend këtë mundësi. Që në gusht ai kishte thënë se planifikonte të takohej me Kim-in përpara fundit të vitit, ndërsa në javët e fundit ka deklaruar se ka rihapur komunikimet me udhëheqësin koreano-verior, me shpresën për të çuar përpara objektivat për denuklearizimin, të cilat i kishte në qendër edhe gjatë mandatit të tij të parë.

Trump pritet të vizitojë Filipinet pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, ku do të marrë pjesë në samitin e ASEAN-it. Dy udhëheqësit janë takuar tri herë gjatë mandatit të parë të Trump: në Singapor në vitin 2018, në takimin e parë ndonjëherë mes një presidenti amerikan dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, në Vietnam në vitin 2019 dhe po atë vit në Zonën e Demilitarizuar, ku Trump u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që shkeli në territorin koreano-verior.

Lini një koment