Tuesday, 13 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kampionati boteror›Pas aventurës me Shqipërinë, Sylvinho pranë rikthimit në bankinë! Tekniku në bisedime me Federatën e Bullgarisë

Pas aventurës me Shqipërinë, Sylvinho pranë rikthimit në bankinë! Tekniku në bisedime me Federatën e Bullgarisë

Tekniku brazilian Sylvinho mund të rikthehet së shpejti në bankinë, por këtë herë në drejtimin e një përfaqësueseje tjetër europiane.

Ish-trajneri i Shqipërisë ka nisur bisedimet me Federatën Bullgare të Futbollit, e cila po kërkon një emër të ri për drejtimin e kombëtares.

Sipas raportimeve të mediave, tekniku brazilian është një nga kandidatët kryesorë për këtë post. Presidenti i federatës, Ivanov, pritet të zhvillojë bisedime vendimtare me Sylvinhon në Milano, ndërsa një prej çështjeve për t’u zgjidhur mbetet ana financiare e marrëveshjes.

Në tryezë është raportuar edhe një ofertë prej një milion eurosh në vit për trajnerin dhe stafin e tij, por kjo shumë nuk përbën ende një marrëveshje të konfirmuar zyrtarisht.

Sylvinho vjen pas eksperiencës me Shqipërinë, të cilën e drejtoi në Kampionatin Europian të vitit 2024. Pas përfundimit të aventurës kuqezi, braziliani është shprehur i interesuar të vazhdojë karrierën në futbollin europian.

Megjithatë, ai nuk është kandidati i vetëm për stolin bullgar. Në garë janë përmendur edhe emrat e Robert Prosineçkit dhe Eduard Jordaneskut.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe nëse Sylvinho do të marrë drejtimin e një tjetër kombëtareje, pas eksperiencës së tij në Shqipëri.

Lini një koment