E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›​Gjashtë persona nga Bangladeshi dyshohet se hynë ilegalisht në Kosovë

​Gjashtë persona nga Bangladeshi dyshohet se hynë ilegalisht në Kosovë

Policia e Kosovës ka lokalizuar një veturë me shtatë persona në fshatin Dobresh të Vitisë, në një rast të raportuar si “Kontrabandim me migrantë”.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur dje rreth orës 21:55. Gjatë legjitimimit është identifikuar drejtuesi i veturës, një burrë kosovar, dhe gjashtë persona të tjerë pa dokumente, të cilët kanë deklaruar se janë shtetas të Bangladeshit, raporton KosovaPress.

Drejtuesi i dyshuar ka deklaruar se personat e huaj janë sjellë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut përmes rrugëve ilegale.

“Njësia policore ka lokalizuar një veturë ku në të cilën kishin qenë shtatë persona. Gjatë legjitimimit është identifikuar vozitësi i dyshuari mashkull kosovar si dhe gjashtë persona tjerë të cilët nuk kishin dokumente me vete, por të njëjtit sipas deklarimit të tyre janë shtetas të Bangladeshit. Sipas deklarimit të dyshuarit (vozitësit), personat e huaj janë sjellë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut përmes rrugëve ilegale”, thuhet në raportin e policisë.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar së bashku me veturën. Ndërkaq, gjashtë personat janë trajtuar nga njësitë përkatëse dhe u është lëshuar vërtetimi i akomodimit në përputhje me ligjin.

Lini një koment