Prokuroria nis hetimet për qasjen e paautorizuar në llogarinë bankare të Përparim Ramës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Express se rasti në fjalë është pranuar në këtë prokurori dhe se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme parahetimore, me qëllim ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.
Punonjësi i Raiffeisen Bank dyshohet se është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe ka shpërndarë pasqyrën dhe transaksionet financiare, përkatësisht të dhëna personale nga llogaria e tij.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje shtesë, duke thënë se në fazën aktuale të procedurës penale detajet mund të cenojnë mbarëvajtjen e procesit hetimor.
Sipas Komunës së Prishtinës, e cila njoftoi të enjten se kryetari Rama do të ndjekë rrugë ligjore për rastin, banka i kishte konfirmuar Ramës se punonjësi përgjegjës, i gjinisë mashkull, është identifikuar dhe është larguar nga puna, pasi Rama kishte dorëzuar ankesë zyrtare dhe kishte kërkuar sqarime.
Raiffeisen Bank ka konfirmuar se ankesa e kryetarit Rama është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore dhe se, pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente.