Monday, 19 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Shitën një kilogram kokainë për 27 mijë euro, aktakuzë ndaj tre personave në Prishtinë

Shitën një kilogram kokainë për 27 mijë euro, aktakuzë ndaj tre personave në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të hënën aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tre personave, të identifikuar me inicialet A.I., B.M. dhe F.U., siç njofton “Betimi për Drejtësi”, duke iu referuar njoftimit të Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës, më 22 prill 2025, rreth orës 15:00, në Prishtinë, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas një koordinimi paraprak, kanë realizuar pa autorizim shitjen e një kilogrami kokainë në vlerë prej 27 mijë eurosh. Gjatë kontrolleve të policisë janë sekuestruar gjithsej 4 kilogramë e 955.62 gramë kokainë, si dhe pajisje për paketimin e narkotikëve, raporton edhe portali Urgjent.

Përveç veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të pandehurit F.U. dhe B.M. ngarkohen edhe me mbajtjen e paautorizuar të armëve: sipas Prokurorisë Speciale, ata kanë mbajtur në pronësi dhe nën kontroll armë zjarri të llojit pistoletë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës edhe konfiskimin e pasurisë ndaj së cilës është nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lini një koment