Luftimi i pastrimit të parave, Gashi diskuton me delegacionin e Thesarit amerikan
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur të hënën në takim një delegacion të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në luftimin e pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, si dhe hetimin e veprave penale financiare dhe formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.
Gjatë diskutimeve u trajtua edhe mundësia e ofrimit të ekspertizës dhe njohurive profesionale për prokurorët e shtetit, me qëllim të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe institucionale në luftimin e krimit financiar dhe ekonomik.
Përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit amerikan shprehën gatishmërinë për të mbështetur mekanizmat e krijuar nga Kryeprokurori i Shtetit, veçanërisht Mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, kryeprokurori Gashi shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, me synim rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve të shtetit./Telegrafi/