E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sulmohet fizikisht mjeku kujdestar në Spitalin e Vushtrrisë, rasti po hetohet

Sulmohet fizikisht mjeku kujdestar në Spitalin e Vushtrrisë, rasti po hetohet

Një mjek kujdestar i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri ka raportuar se është sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, siç njofton Telegrafi, rasti ka ndodhur të hënën, më 19 tetor, rreth orës 14:42, në ambientet e spitalit.

Sipas raportit policor, ankuesi, mjek kujdestar, ka deklaruar se një i dyshuar i panjohur, nga pakënaqësia lidhur me trajtimin ndaj tij, e kishte sulmuar fizikisht. Identiteti i të dyshuarit ende nuk është bërë i ditur.

Rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”. Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, nga raporti i Policisë nuk raportohet për persona të arrestuar lidhur me këtë rast.

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit dhe identifikimin e të dyshuarit.

Lini një koment