Wednesday, 21 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Kagan: Vendimet e Gjykatës së Lartë kanë qenë shkatërruese për demokracinë

Kagan: Vendimet e Gjykatës së Lartë kanë qenë shkatërruese për demokracinë

Gjyqtarja e Gjykatës Supreme të SHBA-së, Elena Kagan, tha të martën se shumica konservatore e gjykatës e ka minuar demokracinë dhe ka krijuar një “garë drejt fundit” në mënyrën se si vizatohen zonat zgjedhore të Kongresit, siç njofton Reuters.

Kagan, një nga tre gjyqtarët liberalë të gjykatës, u tha studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të Catholic University se konservatorët e kanë rritur polarizimin politik duke mos e frenuar manipulimin partiak të hartave zgjedhore, pra rishikimin e kufijve të zonave mbi bazën e prirjeve partiake të votuesve për t’i dhënë përparësi kandidatëve të njërës parti.

“Të dyja partitë politike janë përfshirë në një garë drejt fundit sa u përket këtyre manipulimeve partiake të hartave, duke u hequr në praktikë masave të qytetarëve të drejtën e barazisë së votës”, tha Kagan. Sipas saj, ky manipulim po i shtyn kandidatët drejt ekstremeve, sepse e vetmja gjë për të cilën duhet të shqetësohen tashmë është gara paraprake brenda partisë së tyre.

“Po e bën një vend, që për fat të keq është tashmë i polarizuar, edhe më të polarizuar”, tha ajo. “Në këto zgjedhje, dhe në zgjedhjet e ardhshme, do të shohim shtete të mëdha, me një numër të konsiderueshëm njerëzish që votojnë për republikanët dhe që votojnë për demokratët, të cilat do të përpiqen të kthehen të gjitha në të kuqe ose të gjitha në blu, në një mënyrë që unë mendoj se është shumë shkatërruese për demokracinë tonë.”

Gjykata, e cila ka një shumicë konservatore 6 me 3, në prill e zbehu një nga shtyllat e Aktit për të Drejtat e Votimit të vitit 1965, ligjit historik kundër diskriminimit racor në votim. Sipas Reuters, ai vendim shkaktoi një valë të furishme rivizatimi hartash në Jug, për të eliminuar zonat e Dhomës së Përfaqësuesve ku votuesit me ngjyrë përbëjnë shumicën ose afërsisht shumicën, teksa shtetet e udhëhequra nga republikanët nxituan ta shfrytëzonin vendimin, ndërsa Partia Republikane e presidentit Donald Trump kërkon të ruajë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.

Me nxitjen e Trump-it, Teksasi i udhëhequr nga republikanët e rivizatoi hartën e tij zgjedhore vitin e kaluar në përpjekje për të përmbysur vendet demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Kalifornia e udhëhequr nga demokratët e rikonfiguroi më pas hartën e saj për të synuar vendet republikane. Kagan, e emëruar nga ish-presidenti demokrat Barack Obama, tha se konservatorët e gjykatës nuk e vlerësuan ndikimin real të vendimit të tyre të prillit për të drejtat e votimit, as të vendimit të qershorit që hoqi kufirin e shumës që partitë mund të shpenzojnë në fushata në koordinim me kandidatët.

“Mendoj se një pjesë e arsyes pse gjykata gaboi ishte mungesa e shqetësimit apo e të kuptuarit të duhur të pasojave të vendimeve të tyre”, tha Kagan. “Mendoj se në të gjitha këto fusha gjykata i ka mbyllur sytë ndaj efekteve shumë të dëmshme të vendimeve të saj mbi funksionimin e sistemit politik dhe ka krijuar një demokraci që nuk funksionon aq mirë sa duhet.” Ajo shtoi se vendimi i qershorit për financimin e fushatave ka krijuar mundësi që donatorët të korruptojnë kandidatët: “Mendoj se njerëzit e Amerikës e shohin këtë sistem politik dhe mendojnë se gjithë këto para, që ndjekin gjithë këta kandidatë politikë, janë një makth — dhe kanë të drejtë.”

Lini një koment