Mbrojtja e Kadri Veselit largon dy bashkëavokate para Apelit, Dixon: Nuk prek interesat e klientit
Dy bashkëavokate, Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan, nuk do të jenë më pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pikërisht në prag të nisjes së procedurave në Apel, siç njofton Gazeta Express, duke iu referuar njoftimit të Zyrës së Regjistrit të gjykatës.
Sipas njoftimit të Regjistrit, avokati kryesor i Veselit, Rodney Dixon, më 13 tetor ka vendosur t’ua ndërpresë menjëherë kontratat dy bashkëavokateve. Një ditë më vonë, më 14 tetor, Regjistri ka konfirmuar përfundimin e angazhimit të tyre në ekipin mbrojtës, ndërsa njoftimi i është dorëzuar edhe Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara.
Në letrën drejtuar Zyrës së Mbrojtjes, Dixon ka bërë të ditur se largimi i dy bashkëavokateve nuk do të ndikojë negativisht në interesat e Kadri Veselit dhe as në kohëzgjatjen e procesit gjyqësor. Dokumenti i Regjistrit, i klasifikuar si publik, mban titullin “Notification of Termination of Appointment of two Co-Counsel for Mr Veseli” (Njoftim për përfundimin e emërimit të dy bashkëavokateve për z. Veseli).
Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-krer i PDK-së, u dënua më 16 shtator me 18 vjet burgim në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan gjithashtu. Me ekipin mbrojtës tashmë të ndryshuar, çështja e tij hyn në fazën e Apelit, ku do të shqyrtohen ankesat ndaj aktgjykimit.