Ballkani Perëndimor, sa afër BE-së? Çfarë kërkuan dhe çfarë premtuan liderët në samitin në Mal të Zi
Zgjerimi i Bashkimit Evropian, përshpejtimi i reformave dhe tejkalimi i bllokadave rajonale ishin mesazhet kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 22 tetor në Milloçer/Shën Stefan të Malit të Zi.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili mori pjesë në këtë ngjarje e cilësoi zgjerimin si domosdoshmëri për fuqizimin e Evropës, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi status kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Nikoqiri i samitit, Millojko Spajiq, theksoi se përparimi i Malit të Zi duhet të krijojë mundësi për gjithë rajonin.
Telegrafi e mbuloi nga afër samitin, ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë evropianë.
Merz: Mali i Zi po avancon, të tjerët duhet dhe do të pasojnë
Pas samitit, Merz e përforcoi mesazhin për zgjerimin edhe në platformën X, duke e lidhur atë me sovranitetin dhe peshën ndërkombëtare të Bashkimit Evropian.
“BE-ja duhet të zgjerohet nëse dëshiron të afirmojë sovranitetin e saj dhe të perceptohet si një faktor fuqie në botë. Ballkani Perëndimor dhe Evropa po afrohen gjithnjë e më shumë”, shkroi ai, shkruan Telegrafi.
Kancelari gjerman veçoi përparimin e Malit të Zi, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë edhe për vendet e tjera.
“Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në BE; të tjerët duhet dhe do të pasojnë”, theksoi Merz.
Gjatë konferencës për media, ai nënvizoi se vullneti politik për integrim duhet të vijë nga vetë rajoni dhe se reformat e guximshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, janë kusht për përparim. Ai përmendi gjithashtu rezultatet e Procesit të Berlinit në investime, mbështetjen e bizneseve të reja, telekomunikacion dhe lidhjen e parqeve industriale.
Merz kërkoi që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të dalë nga ngërçi.
Duke rikujtuar zotimet e Samitit të Londrës të vitit 2018, ai kërkoi kundërshtimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, si dhe shmangien e retorikës që nxit konfliktin.
“Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit”, deklaroi ai, transmeton Telegrafi.
Kurti: Kosova pret vendimin për statusin kandidat
Kryeministri Albin Kurti theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim pret vendim që nga dhjetori i vitit 2022, ndërsa vendi mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa status kandidat.
Ai kërkoi që shtetet anëtare të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian, t’i japin Kosovës statusin kandidat dhe të hapin negociatat për anëtarësim
Kryeministri ngriti edhe çështjen e zbatimit të marrëveshjeve rajonale për diplomat dhe letërnjoftimet, duke kundërshtuar pengimin e vendeve që synojnë integrimin.
“Askush nuk mund të detyrohet ta dëshirojë Bashkimin Evropian, por askush nuk duhet të mund t’i pengojë ata që e dëshirojnë”, deklaroi Kurti.
Spajiq: Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit tonë
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, theksoi se bashkëpunimi rajonal, lidhja ekonomike dhe integrimi evropian janë parakushte për stabilitet, siguri dhe prosperitet afatgjatë.
“Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit tonë”, deklaroi ai.
Spajiq kërkoi që afrimi me BE-në të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, përmes qarkullimit më të shpejtë të mallrave, njohjes së kualifikimeve, lehtësive për bizneset dhe mundësive që të rinjtë t’i ndërtojnë karrierat në rajon.
Ai theksoi rëndësinë e institucioneve të forta, konkurrencës së ndershme dhe investimeve në arsim, infrastrukturë dhe energji të pastër. Sipas tij, Mali i Zi synon ta meritojë anëtarësimin përmes reformave dhe ta kthejë përparimin e vet në mundësi edhe për fqinjët.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë mbërritjes në samit shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe takimet me liderët e tjerë.
Deklarata e tij e shkurtër para mediave u përqendrua te pjesëmarrja në këtë format dhe vijimi i takimeve me homologët. /Telegrafi/