Osmani: Mungesa e komunikimit me administratën Trump, rrezik serioz për sigurinë kombëtare
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe strategjik me administratën e presidentit amerikan Donald Trump paraqet një rrezik serioz për sigurinë kombëtare, siç raporton Zëri.
Në një postim në Facebook, Osmani ka shkruar se marrëdhënia me Amerikën nuk është thjesht një çështje protokolli, por një çështje e sigurisë kombëtare. “Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të administratës Trump, si presidentin Trump, sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike”, ka theksuar ajo.
Sipas Osmanit, kjo mungesë i lë hapësirë më të madhe Serbisë që të shtyjë përpara narrativat e saj të rrejshme kundër Kosovës.
Ajo ka theksuar se Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me aleatin e saj jetik. Pa një partneritet të fortë politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas saj, as integrimi euroatlantik, as mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, as mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë nuk mund të garantohen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë që kërkojnë interesat kombëtare.