Përpjekjet e Trump për të ulur çmimin e dizelit po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme para zgjedhjeve të mesmandatit
Çmimi mesatar i dizelit u rrit sërish në 6,28 dollarë për galon, pavarësisht ndihmës prej 8 miliardë dollarësh për fermerët, lehtësimit të rregullave për kamionistët dhe zbutjes së sanksioneve ndaj karburantit rus.
Me zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit gjithnjë e më pranë, Presidenti Donald Trump po hedh një sërë zgjidhjesh të kushtueshme dhe politikisht të ndërlikuara ndaj një problemi kokëfortë: çmimit të dizelit, siç njofton Reuters. Administrata e tij ka ofruar miliarda dollarë për fermerët, ka lehtësuar rregullat për kamionistët, ka zbutur sanksionet ndaj karburantit rus dhe u ka bërë presion aleatëve evropianë të çlirojnë rezervat emergjente.
Megjithatë, çmimi i dizelit u rrit sërish javën e kaluar, duke e lënë Trump-in të shpenzojë kapital politik dhe financiar pa sjellë lehtësimin që partia e tij kërkon ndërsa votuesit shkojnë drejt kutive. Sipas Administratës së Informacionit për Energjinë, çmimi mesatar u rrit me gati 10 cent për galon, në 6,28 dollarë, duke përmbysur dy javë rëniesh dhe duke mbetur pranë niveleve rekord. Republikanët mbrojnë shumica të ngushta në Kongres, ndërsa gati 80% e amerikanëve e fajësojnë Trump-in për kostot më të larta, sipas një sondazhi të tetorit të Reuters/Ipsos.
Presioni politik është veçanërisht i fortë në shtetet tradicionalisht republikane të Brezit të Fermave, si Iowa dhe Kansas, ku rritja e kostove të karburantit dhe plehrave, ndërprerjet tregtare dhe ekonomia e dobët bujqësore kanë ushqyer pakënaqësi edhe mes mbështetësve të tij bazë. Trump i ka promovuar masat në tubime fushate në rajon: në Nebraska nënshkroi mbi skenë një urdhër ekzekutiv që lejon përdorimin e dizelit të ngjyrosur të kuq në automjetet e autostradave, ndërsa të hënën në Kansas njoftoi 8 miliardë dollarë ndihmë të re për fermerët.
Por edhe kjo masë ka hasur skepticizëm. Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) nuk e ka hequr taksën federale të dizelit, por ka pezulluar përkohësisht, deri në fund të vitit, disa kërkesa raportimi dhe gjoba, çka lë pasiguri për pikat e karburantit. “Nuk shoh vërtet që ndonjë nga këto njoftime për dizelin e ngjyrosur të bëjë ndonjë ndryshim domethënës në çmime”, tha David Fialkov, lobisti kryesor i NATSO-s, shoqatës që përfaqëson operatorët më të mëdhenj të ndalesave të kamionëve.
Ndërkohë, pagesat qeveritare për fermerët pritej tashmë të kalonin 47 miliardë dollarë këtë vit, dhe programi prej 8 miliardë dollarësh do ta çonte totalin në një rekord prej 55,4 miliardë dollarësh, mbi rekordin e mëparshëm prej 45 miliardë dollarësh në vitin 2020. “Kjo është raundi i dytë i ndihmës emergjente këtë vit për humbje që ishin kryesisht të parashikueshme”, tha Rob Larew, president i Unionit Kombëtar të Fermerëve.
Edhe zbutja e sanksioneve ndaj dizelit rus, të vendosura për të kufizuar të ardhurat energjetike të Moskës dhe aftësinë e saj për të financuar luftën në Ukrainë, ka tërhequr kritika dypartiake. Shtëpia e Bardhë i atribuoi çmimet e larta “problemeve paraekzistuese”, përfshirë mbylljet shumëvjeçare të rafinerive dhe dëmet nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ndërsa zëdhënësja Taylor Rogers tha se presidenti ka ndërmarrë “veprime historike” për të kursyer paratë e fermerëve, kamionistëve dhe punëtorëve amerikanë.