Dogana zbulon 113 telefona të kontrabanduar gjatë kontrollit në një biznes, bastiset edhe një banesë
Dogana e Kosovës ka zbuluar 113 telefona mobilë të dyshuar si të kontrabanduar gjatë një operacioni kontrolli të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në një biznes që merret me tregtimin e telefonave mobilë, siç njofton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimit të Doganës, operacioni u realizua më 23 tetor, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative. Fillimisht, zyrtarët doganorë kanë kontrolluar lokalin afarist, ndërsa më pas kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit, e cila dyshohet se shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave të kontrabanduar.
Gjatë kontrollit janë gjetur 113 telefona të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei. Për të gjithë telefonat e zbuluar, personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të tyre, importimin përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse.
Të gjithë telefonat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi. Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt. Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale.