Saturday, 24 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›“Mashtrim” dhe “Mashtrim kompjuterik” me ‘Call Center’, kërkohet paraburgim ndaj nëntë të pandehurve

“Mashtrim” dhe “Mashtrim kompjuterik” me ‘Call Center’, kërkohet paraburgim ndaj nëntë të pandehurve

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H., dhe B.E., për shkak të dyshimit të veprave penale “Mashtrimi ” dhe “Mashtrimi kompjuterik” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhë kohore gjatë vitit 2026 deri me datë 23.10.2026 në Prishtinë, në lokacione të ndryshme të përshtatura dhe të shfrytëzuara si qendra të thirrjeve (call center), si në rrugën “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi”, dhe lokacione të tjera të identifikuara, të pandehurit, duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar dhe me role të ndara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes paraqitjes së rreme të fakteve, kanë vënë në lajthim të dëmtuarit – shtetasit suedezë dhe shtetas të huaj, duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, me të cilën duke vepruar si anëtar të grupit kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhë kohore të përshkruar si në pikën I. të dispozitivit, të pandehurit duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar dhe me role të ndara, me qëllim të përfitimit ekonomik të padrejtë për vete, përmes përdorimit të pajisjeve dhe sistemeve kompjuterike, kanë krijuar mundësinë e qasjes në distancë në kompjuterët e të dëmtuarve – shtetas të huaj, duke i vënë në lajthim përmes paraqitjes së rreme si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, me të cilën duke vepruar si anëtar të grupit kanë kryer veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Të pandehurit e lartcekur, që nga data 23 Tetor 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartcekura. /Telegrafi/

Lini një koment