BM – Mijëra banesa pa energji elektrike, një tjetër stuhi e fuqishme pritet të godasë vendin
LONDËR, 24 tetor /ATSH-DPA/- Mijëra banesa në jugperëndim të Anglisë kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhia “Austen” goditi rajonin, ndërsa pjesa veriore e vendit po përgatitet për një tjetër stuhi të fuqishme.
Erërat e forta dhe reshjet e dendura e të shpeshta, pritet të godasin zonat veriore të Britanisë së Madhe, ku shpejtësia e erës mund të kalojë 128 km
Zyra Meteorologjike Britanike ka aktivizuar një paralajmërim portokalli, niveli i dytë më i lartë i rrezikut, për Skocinë, veriun e Anglisë deri në zonën e Carlisle dhe verilindjen e Irlandës së Veriut.
Stuhia “Boelo”, e emërtuar si stuhia e dytë e sezonit, pritet të sjellë rrezik për jetën nga objektet që mund të ngrihen nga era dhe nga dallgët e fuqishme që përplasen në bregdet.
Për këtë arsye, autoritetet meteorologjike u kanë bërë thirrje qytetarëve, të qëndrojnë sa më shumë të jetë e mundur në ambiente të mbyllura.
Ndërkohë, një paralajmërim i verdhë për reshje të dendura dhe erëra të forta është lëshuar për të gjithë veriun e Britanisë së Madhe, nga mesdita deri në orën 21:00 të ditës së sotme.
Për shkak të motit të keq, priten probleme të shumta në transportin detar dhe hekurudhor.
Stuhia “Boelo” vjen pas stuhisë “Austen”, e cila goditi jugperëndimin e Anglisë të premten.
Sipas të dhënave të publikuara nga operatori i rrjetit elektrik “National Grid”, më shumë se 3,700 banesa në këtë rajon ishin pa energji elektrike mëngjesin e sotëm.
Një natë më parë, kompania njoftoi se ekipet e saj kishin rikthyer energjinë elektrike në më shumë se 60,000 banesa që nga fillimi i stuhisë.
Zyra Meteorologjike paralajmëroi se ndërprerje të ngjashme të energjisë elektrike, mund të ndodhin edhe në zonat veriore ku është shpallur paralajmërimi portokalli gjatë fundjavës.
Erërat e stuhisë “Boelo” pritet të arrijnë fuqinë më të madhe nga mbrëmja e sotme.
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po ndryshojnë modelet e reshjeve dhe po shtojnë shpeshtësinë e dukurive ekstreme të motit.
Britania e Madhe e përjetoi këtë ndikim edhe gjatë verës, kur u përball me valë të njëpasnjëshme të të nxehtit rekord.
Kryeministri Andy Burnham paralajmëroi dje se Britania e Madhe mund të përballet me një dimër me përmbytje më të mëdha. /