RUSI – Tre të vrarë pas një sulmi ukrainas në Orjol
MOSKË, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën tre persona kanë humbur jetën pas një sulmi me raketa ukrainase ndaj një fabrike në rajonin e Orjolit, në jugperëndim të Rusisë, njoftuan sot autoritetet ruse.
Sipas guvernatorit të rajonit, Andrei Klychkov, trupat e viktimave u nxorën nga rrënojat e një ndërtese të fabrikës.
Më herët, autoritetet kishin raportuar edhe për tetë persona të plagosur nga sulmi.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht emrin e fabrikës së goditur.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës deklaroi se objektivi ishte një uzinë e mbrojtjes që prodhonte komponentë elektronikë për raketa dhe avionë.
Megjithatë, informacionet e publikuara nga palët ndërluftuese nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas njoftoi se forcat e Kievit kishin goditur gjithashtu një fabrikë për prodhimin e karburantit të raketave në qytetin e Toljatit, në rajonin e Samarës, duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më shumë se katër vjet e gjysmë më parë.
Që prej atëherë, Ukraina u është përgjigjur sulmeve ruse me kundërsulme ndaj objektivave ushtarake dhe industriale edhe në thellësi të territorit rus. /Ad.Ab./ a.jor.