Berisha: Tiranë përjetoi një ditë dhe natë terrori, policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të protestës në kryeqytet, duke deklaruar se Tirana përjetoi një situatë të paprecedentë goditjeje ndaj qytetarëve.
Sipas kryetarit të opozitës, gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes forcat e rendit kanë ushtruar presion të jashtëzakonshëm ndaj pjesëmarrësve në tubim. Në deklaratën e tij, ai pretendoi se “gjatë ditës dhe sonte narkobanditë me uniformë të ‘Shqiponjave’ dhe ‘RENEA-s’ kanë ushtruar një dhunë të paparë ndaj protestuesve paqësorë”.
Më tej, Berisha renditi disa raste konkrete të qytetarëve të lënduar gjatë përplasjeve, duke akuzuar trupat e policisë për përdorim të jashtëzakonshëm të forcës. Ai deklaroi se “kanë qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të rregullave të përdorimit të armëve”, duke përmendur rastin e Erjon Vishkurtit që sipas tij “humbi syrin, i diplomuar në gazetari, ndërkohë që në absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm”.
Berisha shtoi se “në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër, mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër, në abdomen me plumb, që duhet hequr në operacion”, si dhe përmendi rastin e 40-vjeçarit Lorenco Bezani që sipas tij “u shkelmua barbarisht në kokë e trup”.
Kreu i PD-së ngriti akuza edhe për trajtimin e personave të shoqëruar në ambientet e policisë, duke pohuar se “dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën”. Po ashtu, ai shtoi se “banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin”.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha paralajmëroi pasoja ligjore për efektivët e policisë që kanë shkelur ligjin gjatë ndërhyrjeve. Ai nënvizoi se “jo vetëm do të shkrihet si shërbim, por në absolute, secili prej jush do të procedohet mbi bazën e veprës penale që ka kryer”, duke garantuar se të gjithë përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.