E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Gjenden mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut, dyshohet se u përkasin viktimave të luftës

Gjenden mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut, dyshohet se u përkasin viktimave të luftës

Më 27 tetor 2026, në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut, në lokacionin e njohur si “Varrezat e besimtarëve myslimanë”, janë realizuar gërmime vlerësuese, sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Gërmimet ishin vazhdimësi e aktiviteteve vlerësuese të nisura në të njëjtin lokacion më 20 tetor 2026.

Gjatë gërmimeve janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore eshtërore me interes mjeko-ligjor, për të cilat dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës, përkatësisht personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, siç njofton Policia e Kosovës. Identiteti i tyre ende nuk është përcaktuar.

Gërmimet janë realizuar nga ekipet mjeko-ligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), përfshirë ekspertët e EULEX-it, me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektori për Personat e Zhdukur, në zbatim të urdhrit të gjykatës, pas kërkesës së iniciuar nga Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës përmes Prokurorisë, Departamentit për Krime Lufte. Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim përcaktimin e identitetit.

Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore, lokacioni konsiderohet se do të mbetet me interes për verifikime dhe veprime të mëtejshme, në kuadër të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin me prioritet të informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Gjetja vjen pasi në Zubin Potok, në veri të Kosovës, u gjetën tri varreza masive me mbetjet mortore të të paktën 23 personave, ndërsa tri viktimat e para të identifikuara i përkasin “Grupit të Intelektualëve”, shqiptarë nga zona e Mitrovicës të zhdukur më 19 prill 1999.

Lini një koment