Trump nënshkruan shpalljen e Zyrës Ovale dhe Dhomës së Kabinetit monument kombëtar
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të enjten një dokument për ta bërë Zyrën Ovale dhe Dhomën e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë monument kombëtar, siç njofton Reuters. Nënshkrimi e kthen në të mbrojtur me status të veçantë hapësirën më simbolike të presidencës amerikane, dhomën ku presidentët marrin vendimet më të rëndësishme dhe presin liderët e huaj.
Që kur u kthye në detyrë, Trump e ka transformuar Zyrën Ovale historike, duke i shtuar theksime të arta dhe statuja, portrete amerikanësh të famshëm të nxjerrë nga depot dhe një kopje të Deklaratës së Pavarësisë që varet në mur, sipas Reuters. Pikërisht këto ndryshime, të bëra me shijen e tij personale, duket se presidenti kërkon t’i bëjë të qëndrueshme përtej mandatit të tij.
I pyetur nëse në të ardhmen mund të bëhen ndryshime nëse do të nevojiten, Trump u tha gazetarëve: “Asnjë modifikim i madh pa miratimin e Kongresit”. Me statusin e ri, çdo administratë e ardhshme që do të donte ta ndryshonte thelbësisht dhomën do të duhet të përballet me votën e ligjvënësve.
“Pra, nëse duan të thonë ‘le të mos kemi më Ovale, le ta bëjmë katrore’, ajo që ndodh është se duhet të kthehen te Kongresi dhe, shpresojmë, Kongresi do të jetë mjaftueshëm i mençur për të mos e lejuar këtë të ndodhë”, shtoi presidenti, duke iu referuar formës ovale karakteristike të dhomës, nga e cila ajo merr edhe emrin.
Vendimi është hapi më i fundit i Trump-it për të lënë gjurmën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqytetin amerikan, pas ndryshimeve të tjera që ai ka nisur në ambientet presidenciale gjatë mandatit të tij të dytë.