Fekmi Kongjeli vlerëson Leon Parduzin: I riu i Kosovës që po mahnit Bundesligën 2
Leon Parduzi, futbollisti 19-vjeçar nga Kosova, po ndërton karrierën e tij në futbollin gjerman, ndërsa përveç paraqitjeve në fushën e blertë, vlerësohet edhe për modestinë, edukatën dhe respektin ndaj njerëzve që e kanë përkrahur në rrugëtimin e tij.
Vlerësimet për të i ka shprehur Fekmi Kongjeli, i cili, së bashku me mikun e tij Kujtim Ibrahimaj, ishte mysafir nderi i Parduzit në stadiumin e Holstein Kielit, në ndeshjen e rundit të dytë të Kupës së Gjermanisë kundër Hoffenheimit, ku luajnë tre përfaqësues të Kombëtares sonë, Fisnik Asllani, Albion Hajdari dhe Leon Avdullahu.
Kongjeli ka shprehur mirënjohjen për ftesën e futbollistit të ri, duke vënë në pah jo vetëm potencialin e tij sportiv, por edhe vlerat njerëzore që e karakterizojnë.
“Përveçse po ndërton një karrierë të ndritur në futbollin gjerman, në moshën vetëm 19-vjeçare, Leon Parduzi shquhet edhe për vlerat e tij të larta njerëzore, edukatën, modestinë, mirënjohjen dhe respektin ndaj atyre që e kanë përkrahur ndër vite në rrugëtimin e tij drejt futbollit elitar gjerman”, ka thënë Kongjeli.
Ai ka vlerësuar veçanërisht edhe dashurinë e futbollistit për atdheun, të cilën e lidh me edukimin dhe vlerat e trashëguara nga familja e tij.
“Të gjitha këto virtyte, e në veçanti dashurinë për atdheun, të cilën e dëshmon si pjesë e Kombëtares së Kosovës, Leoni i ka të trashëguara nga familja e tij, e cila e ka rritur dhe frymëzuar me këto vlera. Këto janë vlera që i karakterizojnë edhe shumë familje shqiptare, të cilat i kanë edukuar fëmijët e tyre të bëhen ambasadorë të denjë të popullit dhe të shtetit tonë të dashur, Kosovës, në mbarë botën”, ka shtuar Kongjeli.
