Starmer: Britania nuk do të tolerojë nxitjen e urrejtjes anti-hebraike nga shtetet e huaja
Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë përpjekjet e shteteve të huaja për të nxitur urrejtje anti-hebraike dhe për të përhapur dhunë apo përçarje në shoqëri.
Duke folur në një samit në Downing Street mbi antisemitizmin, Starmer tha se policia po heton nëse një fuqi e huaj qëndron pas një serie sulmesh të kohëve të fundit kundër komunitetit hebraik në vend.
“Mesazhi ynë për Iranin, ose për çdo vend tjetër që mund të kërkojë të nxisë dhunë, urrejtje ose përçarje, është se kjo nuk do të tolerohet”, deklaroi ai, duke shtuar se vetëm masat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të ndalur këto sulme.
Sipas tij, një nga pistat e hetimit është nëse një shtet i huaj mund të ketë qenë i përfshirë në disa prej incidenteve, ndërsa paralajmëroi se do të ketë pasoja nëse kjo vërtetohet.
Hetimet vijnë pas disa ngjarjeve të rënda, përfshirë një zjarrvënie të dyshuar në një ish-sinagogë në lindje të Londër, si dhe sulme të tjera ndaj komunitetit hebraik, për të cilat policia antiterroriste ka nisur hetime të thelluara.