Hegseth: Armëpushimi “nuk ka mbaruar” pavarësisht tensioneve me Iranin
Pete Hegseth deklaroi se armëpushimi në rajon vijon të mbetet në fuqi, pavarësisht incidenteve të fundit që përfshijnë sulme ndaj anijeve tregtare, të atribuuara Iranit.
Duke folur për mediat, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë reaguar në mënyrë të vendosur ndaj çdo kërcënimi.
“Ne thamë se do të mbroheshim dhe do të mbroheshim në mënyrë agresive, dhe absolutisht e kemi bërë. Irani e di këtë,” u shpreh Hegseth, duke shtuar se çdo përshkallëzim i mundshëm mbetet në dorën e presidentit për t’u vlerësuar si shkelje e armëpushimit.
I pyetur mbi pragun që do të çonte në rifillimin e operacioneve të gjera ushtarake, ai theksoi se një vendim i tillë është thelbësisht politik dhe varet nga zhvillimet në terren.
Nga ana tjetër, Caine u shpreh se aktivitetet aktuale iraniane konsiderohen “të nivelit të ulët” dhe përbëjnë më shumë “ngacmime” sesa një përshkallëzim të mirëfilltë të konfliktit.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë në ekipin e Hegseth hodhi poshtë raportimet e fundit mediatike, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet se Irani disponon të ashtuquajtur “delfinë kamikazë”.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm.