“Shqetësimet e PD nuk qëndrojnë”- Celibashi për zgjedhjet vendore: Votim elektronik në sa më shumë bashki! Partitë t
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se votimi elektronik mbetet një prioritet për institucionin që ai drejton, duke theksuar se synimi është shtrirja e tij në sa më shumë bashki në zgjedhjet lokale të 9 majit, 2027.
Celibashi u shpreh se kundërshtimet e Partisë Demokratike ndaj këtij sistemi janë të pabazuara, por nënvizoi se qëndrimi i opozitës nuk mund të anashkalohet, duke qenë partia kryesore opozitare.
Sipas tij, për këtë çështje nevojitet konsensus mes forcave politike, pasi KQZ-ja nuk mund të marrë një vendim që favorizon njërën palë.
“Nuk kemi asnjë arsye, apo akt ligjor për të kundërshtuar lidhur me këtë çështje. Jemi të angazhuar që të gjitha masat të jenë të përshtatshme me hartën e re administrativo-elektorale. Pikëpamja jonë si institucion lidhur me votimin elektronik është e pandryshuar. Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje.
PD është partia kryesore e opozitës, është fakt që në gjykimin tim ne nuk mund ta injorojmë qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje, edhe pse shkaqet pse kjo parti kundërshton janë të pabaza. KQZ nuk është palë në këtë çështje. Kjo është një çështje e vetë partive politike.
Do të ishte mirë që të kishte një konsensus për këtë, përndryshe për KQZ-në ngel e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të marrë një vendim në interes të një pale. Shkaqet e ngritura nga PD lidhur me shqetësimet e këtij sistemi nuk qëndrojnë. E rikonfirmoj që për ne si institucion do të ishte me dobi, e mbështesim dhe do të punojmë që votimi elektronik të shtrihet në sa më shumë bashki. Partitë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një konsensus”, tha Celibashi.