Zëvendësimi i kripës së zakonshme në atë me kalium parandalon tre milionë vdekje në vit në mbarë botën
– Zëvendësimi i kripës së zakonshme me një alternativë të pasuruar me kalium mund të parandalojë afro 3 milionë vdekje dhe më shumë se 10 milionë raste të reja të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të veshkave çdo vit në mbarë botën, shkruan euronews.com.
Ky është përfundimi i një studimi të udhëhequr nga studiuesit e Institutit George për Shëndetin Global në Australi, i cili analizoi përfitimet e mundshme shëndetësore nga përdorimi i kripës së pasuruar me kalium në 193 vende të botës.
Sipas vlerësimeve të studiuesve, një kalim global drejt këtij produkti mund të parandalonte rreth 2,96 milionë vdekje dhe 10,17 milionë raste të reja të sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve kronike të veshkave çdo vit.
Konsumi i tepërt i natriumit dhe marrja e pamjaftueshme e kaliumit janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e presionit të gjakut, një nga rreziqet kryesore për goditjet në tru, infarktin dhe sëmundjet e veshkave, theksoi Bruce Neal, studiues i lartë në Institutin George.
Kripa e pasuruar me kalium prodhohet duke zëvendësuar një pjesë të klorurit të natriumit që gjendet në kripën e zakonshme me klorur kaliumi. Ajo ka pamje, shije dhe përdorim të ngjashëm me kripën tradicionale, por ndihmon në uljen e marrjes së natriumit dhe rritjen e konsumit të kaliumit.
Përfitime edhe nga një kalim i pjesshëm
Studiuesit analizuan disa skenarë, përfshirë zëvendësimin e kripës që përdoret në gatimin në shtëpi, në ushqimet e përpunuara dhe në restorante, si dhe përdorimin e saj te personat që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut.
Edhe një kalim i pjesshëm do të sillte përfitime të konsiderueshme. Vetëm zëvendësimi i kripës së përdorur në familje mund të parandalonte rreth 1,85 milionë vdekje dhe 6,19 milionë raste të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të veshkave çdo vit.
Ndërkohë, zëvendësimi i kripës në ushqimet e përpunuara dhe në restorante mund të parandalonte 1,56 milionë vdekje të tjera dhe 5,46 milionë raste sëmundjesh.
Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, më shumë se 70% e kripës së konsumuar merret nga ushqimet e përpunuara dhe vaktet në restorante, dhe jo nga kripa që shtohet gjatë gatimit në shtëpi.
Studiuesit vlerësojnë se përfitimet më të mëdha do të arriheshin në vendet me popullsi të madhe dhe me nivele të larta të sëmundjeve kardiovaskulare. Një kalim i plotë në kripën e pasuruar me kalium mund të parandalonte rreth 1,08 milionë vdekje në vit në Kinë, ndërsa në Indi afro 400 mijë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, zëvendësimi i plotë i kripës së zakonshme mund të shmangte rreth 13 mijë vdekje dhe 60 mijë raste të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të veshkave çdo vit.
Kujdes për personat me sëmundje të veshkave
Pavarësisht përfitimeve të mundshme, studiuesit paralajmërojnë se përdorimi i kripës së pasuruar me kalium nuk është i përshtatshëm për të gjithë.
Personat me sëmundje të avancuara të veshkave, si dhe ata që përdorin medikamente të caktuara që rrisin nivelin e kaliumit në gjak, mund të rrezikojnë hiperkaleminë, një gjendje që karakterizohet nga përqendrimi i tepërt i kaliumit në gjak.
Sipas nefrologut Vivek Jha, këto rreziqe mund të menaxhohen përmes informimit të pacientëve, etiketimit të qartë të produkteve dhe mbikëqyrjes mjekësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështeti në vitin 2025 përdorimin e kripës së pasuruar me kalium si një mënyrë për të ulur presionin e gjakut dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Megjithatë, studiuesit pranojnë se kalimi global drejt këtij produkti mbetet një objektiv ambicioz, veçanërisht për shkak të nevojës për të rritur prodhimin e klorurit të kaliumit për të përballuar kërkesën.
Sipas tyre, kjo alternativë mund të ofrojë përfitime të mëdha shëndetësore me kosto më të ulët se shumë trajtime të bazuara në medikamente.