ZKA: Gjendja financiare e RTK-së mbetet e rëndë, pa model të qëndrueshëm financimi
Gjendja financiare e Radio Televizionit të Kosovës mbetet e rëndë, sepse transmetuesi publik nuk ka një model të qëndrueshëm financimi dhe varet kryesisht nga subvencionet buxhetore, konstaton auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), siç njofton RTK-ja.
Sipas gjetjeve të auditimit, të hyrat e RTK-së për vitin 2025 ishin 18,8 milionë euro, kryesisht nga subvencionet e shtetit. Me ligj, transmetuesi mund të realizojë deri në 15 për qind të të hyrave nga marketingu, por në praktikë realizon vetëm rreth 2 për qind, ndërsa tarifa vjetore publike ende nuk është përcaktuar.
Auditimi vlerëson se RTK-së i duhen të paktën 40 milionë euro në vit për funksionimin e katër kanaleve televizive, dy stacioneve të radios dhe shërbimeve online, por ka marrë vetëm rreth gjysmën e kësaj shume.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se auditimi gjeti që RTK-ja nuk ka model të qëndrueshëm financimi, ndonëse ka obligim ligjor për një të tillë, duke theksuar strukturën e paqëndrueshme dhe mungesën e stabilitetit të brendshëm financiar të transmetuesit publik.
Ligji për transmetuesin publik ende nuk është miratuar dhe RTK-ja vazhdon të funksionojë sipas një rregulloreje të përkohshme të UNMIK-ut të vitit 2001, thuhet në raportimin e RTK-së.