Nga vendet aziatike drejt Kosovës, Specilja publikon pamje të sekuestrimit të 37 kilogramë heroinë
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës dhe me mbështetjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), më 3 nëntor 2026, pas një hetimi të zhvilluar, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës, me ç’rast janë arrestuar pesë persona dhe është sekuestuar 37 kg substancë e dyshuar heroinë.
Gjatë konferencës për media u.d Kryeprokurori i PSRK, Dren Paca tha se është njëri ndër operacionet më të mëdha të këtij lloji të ndërmarra në vend, i cili dëshmon rëndësinë e angazhimit të koordinuar institucional në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe të krimit të organizuar.
Prokurori Dema, deklaroi se sipas dyshimeve fillestare, sasia e narkotikëve dyshohet të jetë transportuar nga vendet aziatike në Republikën e Kosovës, ndërsa theksoi se ndaj të dyshuarve do të ndërmerren të gjitha veprimet e mëtejshme procedurale, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në PK, Reshat Murseli tregoi se çfarë u sekuestrua tjetër, gjatë operacionit.
“5,300 euro dhe 100 dollarë amerikanë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një pajisje DVR për regjistrimin e kamerave të sigurisë, 15 fishekë të kalibrit 9×19 mm, një prerëse”, tha ai.
Të dyshuarit, me urdhër të PSRK janë ndalur për 48 orë dhe dyshohen për kryerjen e veprave penale: ngarkohen me dyshimin për përfshirje në veprat penale:“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale lidhur me këtë rast. /Telegrafi/