Kryeprokurori i Shtetit viziton Prokurorinë Themelore në Pejë, kërkon trajtim me seriozitet të rasteve penale
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku ka takuar prokurorët e kësaj prokurorie dhe ka diskutuar për funksionimin e institucionit, trajtimin e rasteve penale dhe sfidat me të cilat përballen.
Në këtë vizitë, Gashi është shoqëruar nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh Koordinatori Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, Ersan Qavolli, si dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi.
Gjatë takimit me prokurorët, Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitet, përgjegjësi dhe ndjeshmëri, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale. Ai ka kërkuar gjithashtu që në secilin rast të ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale.
“Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, z. Bahri Hyseni, prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ersan Qavolli, njëherësh Koordinator Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë. Gjatë takimit me prokurorët e kësaj prokurorie, Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitetin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e duhur, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale. Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me ç’rast Kryeprokurori Gashi ka kërkuar vigjilencë, kujdes dhe profesionalizëm institucional në të gjitha këto raste, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të rrezikut, reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të viktimave në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim Kryeprokurori i Shtetit i ka njoftuar prokurorët e Prokurorisë Themelore në Pejë për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve, si dhe për caktimin e prokurorëve mbikëqyrës nëpër prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore në Pejë.
“Në anën tjetër, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar nga ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores, znj. Valbona Haxhosaj, dhe prokurorët e kësaj prokurorie lidhur me gjendjen e përgjithshme, ngarkesën me lëndë, sfidat dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me funksionimin e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/