MPB-ja hap konkursin për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, siç njofton RTK-ja. Afati për aplikim është i hapur nga data 5 nëntor deri më 19 nëntor 2026, në orën 16:00.
Sipas njoftimit të MPB-së, që e përcjell RTK-ja, kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë arsimim universitar dhe të plotësojnë kushtin shëndetësor e fizik për kryerjen e detyrave përkatëse.
Kandidatët, po ashtu, nuk duhet të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale me dënim jo më pak se gjashtë muaj burgim. Ata nuk duhet të mbajnë pozita udhëheqëse në parti politike, të mos jenë anëtarë të tyre dhe të mos angazhohen në veprimtari politike.
Nëse kushtet i plotësojnë më shumë se tre kandidatë, Komisioni për Emërime të Larta në Polici harton listën e ngushtë me jo më shumë se tre kandidatë, i interviston të përzgjedhurit dhe i propozon ministrit të Punëve të Brendshme kandidatin më të suksesshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës emërohet nga Qeveria, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme.