Hoxha takon Beyer në Berlin: Në fokus, angazhimi më i fortë i Gjermanisë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndim
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Berlin një takim me Peter Beyer, deputet i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), partisë që udhëheq koalicionin qeverisës në Gjermani.
Beyer është anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme të Bundestagut dhe mik i hershëm i Shqipërisë.
Në qendër të bisedës ishin forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane dhe nevoja për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tyre, si dhe rëndësia e një angazhimi edhe më të fortë të Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Hoxha dhe deputeti Beyer diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ecurinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në kontekstin e zhvillimeve strategjike në Evropë, ata u ndalën te rëndësia e ruajtjes së një procesi të besueshëm zgjerimi, të bazuar në meritë.
Bashkëbisedimi përfshiu gjithashtu situatën në Ballkanin Perëndimor, me vëmendje të veçantë te zgjedhjet e fundit në Serbi dhe ndikimi i tyre në stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.
Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për miqësinë e Beyer ndaj Shqipërisë, interesin e tij të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor dhe përkushtimin ndaj së ardhmes evropiane të rajonit.