Ambasadorja e BE-së i dorëzon progres-raportin, Begaj: Angazhimi ynë anëtarësimi në BE
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur këtë të enjte ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i ka dorëzuar progres-raportin e Komisionit Evropian për vendin tonë.
Gjatë takimit, kreu i Shtetit e vlerësoi raportin e këtij viti si dëshmi të avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe një tjetër hap drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë dhe për politikat e tij në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në këtë kuadër, Begaj theksoi se vendi mbetet i angazhuar për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.
Në përfundim, kreu i Shtetit nënvizoi se respektimi i sundimit të ligjit, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik janë thelbësore për realizimin e objektivit strategjik të integrimit evropian.