IRAN – Teherani: Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të plotësojë kushtet
– Irani ka paralajmëruar se nuk do të rihapë Ngushticën e Hormuzit derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përmbushin shtatë kushtet e paraqitura nga Teherani, duke e bërë këtë çështje një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve në negociatat mes dy vendeve, sipas “Reuters”.
Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi se përgjigjia e Uashingtonit ndaj kërkesave iraniane, nuk ishte bindëse dhe se SHBA-ja duhet t’i trajtojë plotësisht dhe në mënyrë të qartë të shtatë kushtet.
“Vetëm në këtë rast do të rihapet Ngushtica e Hormuzit”, shkroi Rezaei në rrjetin social X.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, kërkesat e Teheranit i janë përcjellë palës amerikane përmes ndërmjetësve nga Katari.
Ai tha se propozimi iranian përfshin një plan me shtatë hapa, i cili mund të zbatohet brenda dy ditësh nëse Uashingtoni pranon kushtet.
Ndër kërkesat kryesore të Iranit, janë heqja e sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të naftës, përfundimi i bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe lirimi i fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Teherani kërkon gjithashtu përfundimin e armiqësive në të gjitha frontet e konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe garanci për zbatimin e marrëveshjes së propozuar.
Negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje vijojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, deklaroi se të dyja palët po shqyrtojnë propozimet e paraqitura nga ndërmjetësit dhe se përpjekjet rajonale janë intensifikuar për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Ai shprehu besimin se mund të arrihet një marrëveshje që do të hapte rrugën për negociata të mëtejshme.
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë iranian i tha “Reuters” se Teherani nuk do të pranonte kërkesa të tepruara nga Uashingtoni dhe se negociatat për programin bërthamor mund të fillojnë vetëm pasi të përmbushen kushtet iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake, por ka deklaruar se SHBA-ja është e gatshme të shqyrtojë një marrëveshje diplomatike.
Ngushtica e Hormuzit, pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës, në kohë paqeje, kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Mbyllja e saj ka shkaktuar shqetësime në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka ndikuar në rritjen e kostove të transportit dhe të karburanteve.
Konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit nisi në shkurt dhe ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme të transportit detar në rajon.
Ndërkohë, Uashingtoni ka kryer sulme të kufizuara ndaj objektivave iraniane në ishullin Keshm, pranë Ngushticës së Hormuzit, në atë që zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar si operacion mbrojtës.
Pavarësisht kontakteve diplomatike, palët mbeten larg një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit dhe rikthimin e lundrimit normal në këtë korridor strategjik. /