E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Inflacioni i çmimeve të prodhimit në eurozonë, më i larti që nga shkurti 2023

FOKUS – Inflacioni i çmimeve të prodhimit në eurozonë, më i larti që nga shkurti 2023

BRUKSEL, 5 nëntor /ATSH-DPA/– Inflacioni i çmimeve të prodhimit në eurozonë u përshpejtua më tej në shtator, duke arritur nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2023.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga “Eurostat”, kjo rritje u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë.

Çmimet e prodhimit u rritën me 11,1% në shtator, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pas rritjes prej 8,3% në gusht.

Shifra ishte gjithashtu më e lartë se parashikimi prej 10,9%. Herën e fundit që ky tregues shënoi një nivel kaq të lartë ishte në shkurt të vitit 2023, kur rritja arriti në 12,7%.

Rritja më e madhe u regjistrua te çmimet e energjisë, të cilat u shtrenjtuan me 30% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, çmimet e mallrave të ndërmjetme u rritën me 7,1%, ato të mallrave kapitale me 2,7%, ndërsa mallrat e qëndrueshme të konsumit u shtrenjtuan me 3,4%.

Në të kundërt, çmimet e mallrave jo të qëndrueshme të konsumit shënuan rënie me 0,6%.

Edhe duke përjashtuar energjinë, çmimet e prodhimit shënuan rritje vjetore prej 3,5%, krahasuar me 3,4% në gusht.

Në krahasim me muajin gusht, çmimet e prodhimit në eurozonë u rritën me 2,5% në shtator, në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve dhe më shumë se rritja prej 2% e regjistruar një muaj më parë.

Ndërkohë, në të gjithë Bashkimin Evropian, çmimet e prodhimit u rritën me 2,6% në bazë mujore dhe me 10,9% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. /

Lini një koment