Programi i Rrjetit të Muzeve, 10 objekte prioritare me ndërhyrje gjatë vitit 2027
Programi i Rrjetit të Muzeve, i nisur këtë vit si nismë bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe ministrisë përgjegjëse për Pushtetin Vendor, synon krijimin e një rrjeti të integruar muzeor në Shqipëri, përmes restaurimit, rikonstruksionit, rijetësimit dhe muzealizimit të hapësirave ekzistuese.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka theksuar se gjatë vitit 2027, programi hyn në fazën e zbatimit konkret me ndërhyrje në 10 objekte prioritare, ndër të cilët: Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, Muzeu Arbëresh në Vuno dhe Muzeu i Artit Bizantin në Gjirokastër.
Ndër projektet e tjera janë modernizimi dhe digjitalizimi i Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës, përfshirë restaurimin e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, si dhe krijimi i një muzeu të hapur në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), për të prezantuar historinë dhe kontributin e tij në jetën artistike shqiptare.
Në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos do të vijojë projekti për ngritjen e një qendre multifunksionale, me financim prej 6,2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet AICS. Qendra do të përfshijë edhe një hapësirë muzeore për interpretimin dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike, me inaugurim të parashikuar gjatë vitit 2027.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Trans Adriatic Pipeline (TAP), parashikohet zhvillimi i tre muzeve arkeologjikë në Korçë, Berat dhe Fier, me synim ruajtjen, ekspozimin dhe promovimin e pasurisë arkeologjike të këtyre rajoneve.
“Zhvillimi i tre hapësirave muzeore arkeologjike në këto qytete do të realizohet nëpërmjet marrëveshjes së bashkëpunimit me Trans Adriatic Pipeline (TAP). Këto ndërhyrje synojnë të krijojnë mundësi të reja për ruajtjen, ekspozimin dhe interpretimin e pasurisë arkeologjike të rajoneve përkatëse, duke zgjeruar ofertën muzeore dhe duke rritur potencialin e tyre për turizmin kulturor”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja ka bërë të ditur se “krahas investimeve në infrastrukturën muzeore, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të vërë në dispozicion një fond prej 30 milionë lekësh në grante të dedikuara për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, edukative dhe promovuese, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës së lehtë në muze”.
Programi i Rrjetit të Muzeve synon zgjerimin e ofertës kulturore, promovimin e historisë dhe trashëgimisë kombëtare, si dhe nxitjen e turizmit kulturor gjatë gjithë vitit, duke kontribuar edhe në zgjatjen e qëndrimit të vizitorëve në destinacionet turistike.