GJERMANI – Përmbyset kamioni me acid nitrik në Krefeld, autoritetet shpallin gjendjen e alarmit
KREFELD, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Një aksident me një kamion cisternë, që transportonte acid nitrik ka shkaktuar një situatë të rrezikshme në qytetin Krefeld, në landin Renani Veriore-Vestfali, në perëndim të Gjermanisë.
Kamioni u përmbys gjatë natës pranë kryqëzimit të autostradës A57, në zonën e Berliner Straße, duke shkaktuar rrjedhjen e acidit nitrik, një substancë kimike shumë gërryese dhe të rrezikshme për shëndetin.
Shoferi i kamionit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për trajtim mjekësor.
Alarmi për aksidentin u dha rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm. Në vendngjarje u angazhuan rreth 200 punonjës të zjarrfikëses dhe shërbimeve të emergjencës, të cilët punuan për ndalimin e rrjedhjes dhe mbledhjen e substancës kimike.
Autoritetet vendosën një perimetër sigurie prej 1,000 metrash rreth vendit të aksidentit dhe u kërkuan banorëve të qëndronin brenda ndërtesave, të mbanin të mbyllura dyert dhe dritaret dhe të fiknin sistemet e ventilimit dhe të ajrit të kondicionuar.
Për të monitoruar përhapjen e mundshme të substancës, ekipet e specializuara kryen vazhdimisht matje të cilësisë së ajrit.
Në zonën e prekur u aktivizuan edhe sirenat e alarmit për të paralajmëruar banorët.
Si masë paraprake, autoritetet vendosën mbylljen gjatë gjithë ditës, të katër shkollave dhe dy kopshteve në zonën e prekur.
Aksidenti shkaktoi gjithashtu probleme të mëdha në qarkullimin rrugor dhe hekurudhor. Autostrada A57 u mbyll në të dyja drejtimet, në segmentin ndërmjet daljeve Krefeld-Oppum dhe Krefeld-Gartenstadt.
U bllokua gjithashtu rruga Berliner Straße, ndërsa u ndërpre edhe lidhja hekurudhore ndërmjet Duisburgut dhe Krefeldit.
Në përditësimin më të fundit, autoritetet njoftuan se operacioni për nxjerrjen dhe transferimin e substancës kimike përfundoi me sukses.
Si rrjedhojë, zona e sigurisë u zvogëlua nga 1,000 në 200 metra rreth vendit të aksidentit. Personat që ndodhen jashtë këtij perimetri mund të largohen nga ndërtesat ku ishin strehuar.
Autoritetet paralajmëruan se në disa vende, mund të ndihet ende era e substancës kimike, por jashtë zonës së kufizuar nuk paraqitet rrezik.
Acidi nitrik përdoret gjerësisht në industrinë kimike, veçanërisht në prodhimin e plehrave kimike. Në rast rrjedhjeje të pakontrolluar, ai mund të shkaktojë dëmtime serioze në lëkurë, sy dhe rrugët e frymëmarrjes. /