10 milionë euro pasuri të sekuestruara! Pallat, toka, apartamente dhe 25 mjete të bllokuara
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin italian G.T., administrator i një shoqërie, i akuzuar për tre vepra penale: mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 10 milionë euro, që i përkasin subjektit nën hetim.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet disa mujore dyshohet se administratori italian, përmes shoqërisë ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke u premtuar furnitorëve pagesa ose apartamente.
Më pas, ai dyshohet se ka mohuar furnizimet dhe detyrimet financiare ndaj tyre, ndërsa materialet e marra janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Sipas organit të akuzës, furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave.
Në kuadër të procedimit penal, është vendosur sekuestro preventive në mbi tetë pasuri të paluajtshme, mes tyre toka, një pallat dhe disa njësi, si dhe 25 automjete të përdorura për aktivitetin e betonit, përfshirë betoniere, pompa dhe mjete transporti. Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 10 milionë euro.
Pasuritë dhe aktiviteti tregtar i janë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Prokuroria bën me dije se shtetasi italian G.T. dhe shoqëria që administronte janë marrë të pandehur për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, ndërsa çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata.