E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›IRLANDË – Kërcënime me bomba ndaj RTÉ dhe gazetave, ndërhyjnë forcat e sigurisë

IRLANDË – Kërcënime me bomba ndaj RTÉ dhe gazetave, ndërhyjnë forcat e sigurisë

– Disa organizata mediatike në Irlandë, janë detyruar të evakuojnë sot punonjësit, pas marrjes së kërcënimeve për vendosjen e bombave në ndërtesat e tyre, sipas “Reuters”.

Mes medieve të prekura janë transmetuesi publik irlandez RTÉ, gazeta “Irish Independent”, radiostacionet “Newstalk” dhe “Today FM”, si dhe organizata mediatike “Virgin Media”.

Policia irlandeze, e njohur si Garda, ndërhyri në ambientet e medieve, për të kryer kontrolle dhe për të hetuar kërcënimet, të cilat u dërguan përmes postës elektronike.

Në RTÉ, punonjësit dhe gazetarët u larguan nga ndërtesat në kompleksin e transmetuesit në Donnybrook, në jug të Dublinit.

Për arsye sigurie, televizioni dhe radioja kaluan përkohësisht në programe të regjistruara, ndërsa transmetimet e zakonshme u ndërprenë.

Edhe ambientet e gazetës “Irish Independent”, si dhe ndërtesa “Marconi House”, ku ndodhen studiot e “Newstalk” dhe “Today FM”, u evakuuan.

Sipas raportimeve, një prej kërcënimeve të marra nga RTÉ, mbërriti pak para orës 09:00 sipas orës lokale dhe paralajmëronte se një bombë do të shpërthente brenda 45 minutash.

Sipas raportimeve të mediave irlandeze, kërcënimet u dërguan edhe ndaj dhjetëra organizatave të tjera mediatike në Irlandë dhe Britaninë e Madhe.

Policia konfirmoi se ishte në dijeni të kërcënimeve ndaj mediave në Irlandë dhe në vende të tjera të Evropës dhe se kishte nisur hetimet.

Disa prej medieve, rifilluan transmetimet pas kontrolleve të para.

“Newstalk” njoftoi se punonjësit e saj u lejuan të riktheheshin në ndërtesë rreth orës 10:00 GMT, pasi kërcënimi ishte vlerësuar si alarm i rremë.

Ndërkohë, kampusi kryesor i RTÉ-së mbeti i mbyllur, ndërsa policia vijonte kontrollin e ndërtesave.

Kryeministri irlandez, Micheál Martin, e cilësoi situatën shqetësuese dhe tha se autoritetet po e trajtonin çështjen me seriozitet.

Ai theksoi se këto veprime tregojnë, se sa lehtë mund të shkaktohet kaos, në funksionimin e zakonshëm të shoqërisë përmes kërcënimeve dhe ndërhyrjeve të tilla.

“Duhet të ruajmë qetësinë dhe të përqendrohemi te puna jonë”, deklaroi Martin, duke shtuar se autoritetet do të punojnë për të identifikuar përgjegjësit.

Në një mesazh të dërguar medieve, autori i kërcënimeve pretendonte se ishte pjesë e grupit përgjegjës, për alarminet e rreme për bomba ndaj avionëve në Evropë gjatë ditëve të fundit.

Në mesazh kërcënoheshin edhe mjete të tjera transporti, përfshirë anijet e pasagjerëve, metrotë dhe trenat.

Megjithatë, autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende, nëse kërcënimet ndaj medieve dhe ato ndaj kompanive ajrore, janë organizuar nga i njëjti grup apo nëse pas tyre qëndron një operacion i koordinuar.

Incidentet ndodhin në një moment kur Irlanda po përgatitet të presë javën e ardhshme, një takim të Komunitetit Politik Evropian në Dublin, ku pritet të marrin pjesë 55 krerë shtetesh dhe qeverish.

Autoritetet irlandeze kanë shtuar masat e sigurisë për këtë aktivitet, ndërsa shërbimet policore dhe të sigurisë, po bashkëpunojnë me homologët evropianë për të identifikuar personat përgjegjës për kërcënimet. /

Lini një koment