FOKUS – FT: Kërcënime me bomba ndaj 35 fluturimeve në Evropë, dyshimet përfshijnë Rusinë
LONDËR, 7 nëntor /ATSH – AA/ – Agjencitë evropiane të sigurisë kanë nisur hetimet për të zbardhur nëse kërcënimet e koordinuara me bomba, që këtë javë shënjestruan dhjetëra fluturime në Evropë, kanë origjinën nga Rusia.
Sipas gazetës “Financial Times”, e cila citon zyrtarë të inteligjencës, shërbimet evropiane po zhvillojnë një hetim ndërkufitar për të identifikuar burimin e kërcënimeve.
Disa përfaqësues të inteligjencës evropiane e konsiderojnë origjinën ruse si hipotezën më të mundshme, duke u bazuar te motivet e mundshme, mënyra e veprimit, precedentët e mëparshëm dhe të dhënat e para të mbledhura.
Një nga pistat e hetimit është përfshirja e aktivistëve pro-Kremlinit ose grupeve të hakerave.
Sipas të dhënave të Eurocontrol, organizatës evropiane për sigurinë e navigimit ajror, gjithsej 35 fluturime evropiane janë përballur me kërcënime për bomba më 3, 5 dhe 6 nëntor.
Në një bilanc të bërë publik për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, Eurocontrol bëri të ditur se më 6 nëntor janë raportuar kërcënime ndaj 14 fluturimeve, po aq edhe më 5 nëntor, ndërsa më 3 nëntor janë regjistruar shtatë raste.
Megjithatë, organizata theksoi se këto incidente nuk kanë ndikuar në vonesat e trafikut ajror në rrjetin evropian.
Eurocontrol bëri të ditur se po monitoron nga afër situatën dhe po bashkëpunon me kompanitë ajrore, aeroportet dhe autoritetet e navigimit ajror në të gjithë Evropën, me synimin për të kufizuar çdo ndërprerje të mundshme të trafikut ajror.