E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›PEKIN – Xi: Kina është partnere e Evropës, jo burim i problemeve të saj

PEKIN – Xi: Kina është partnere e Evropës, jo burim i problemeve të saj

PEKIN, 7 nëntor/ATSH – AA/ – Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka deklaruar se një Kinë në zhvillim e sipër nuk është burim i problemeve të Evropës, por një partnere që mund të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, si dhe ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare mes Pekinit dhe Bashkimit Evropian (BE).

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se Xi i bëri këto deklarata gjatë bisedimeve me kancelarin austriak, Christian Stocker. “Një Kinë që vazhdon të zhvillohet dhe të forcohet nuk është shkaku kryesor i problemeve me të cilat përballet Evropa, por një partnere dhe bashkudhëtare që mund ta ndihmojë Evropën në zgjidhjen e tyre”, deklaroi Xi.

Ai bëri thirrje që Kina dhe Austria të mbështesin së bashku multilateralizmin, tregtinë e lirë dhe të kundërshtojnë rritjen e unilateralizmit dhe proteksionizmit. Xi u bëri thirrje Pekinit dhe Brukselit që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ekonomike dhe tregtare përmes dialogut dhe konsultimeve.

Me rastin e 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Xi tha se Kina ishte e gatshme të zgjeronte bashkëpunimin me Austrinë në fushat e inteligjencës artificiale, automjeteve elektrike, ekonomisë digjitale dhe zhvillimit të gjelbër.

Ai tha se Plani i 15-të Pesëvjeçar i Kinës, i cili pritet të nisë së shpejti, do të krijojë mundësi të reja për partnerët e huaj përmes modernizimit industrial dhe qasjes më të gjerë në tregun kinez.

Stocker rikonfirmoi përkushtimin e Austrisë ndaj politikës së një Kine dhe shprehu mbështetjen për forcimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kinës. Ai bëri thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare përmes negociatave dhe u zotua për thellimin e bashkëpunimit në investime, teknologji dhe inovacion.

Të dy liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin global.

Lini një koment