ATHINË – Ulje emergjente e një avioni të linjës Izrael-SHBA
ATHINË, 9 nntor /ATSH-TPS/ – Fluturimi 168 i “United Airlines”, nga Tel Avivi për në Newark, u devijua drejt Athinës dhe u ul në mënyrë të sigurt, pasi një erë e ngjashme me diçka që digjet u ndje në kabinën e pasagjerëve, duke çuar në shpalljen e një gjendjeje emergjente.
Devijimi drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës u vendos për shkak të shqetësimeve për një defekt të mundshëm teknik ose zjarr.
Pasagjerët zbritën normalisht dhe nuk u raportua për asnjë të lënduar.
“United” konfirmoi devijimin, duke bërë të ditur se po organizon një fluturim alternativ për të vazhduar udhëtimin drejt Newarkut.
Kompania ajrore nuk e identifikoi burimin e erës.
Një kontroll i kryer nuk gjeti asnjë zjarr në bord, por avioni u dërgua për verifikime të mëtejshme teknike dhe mirëmbajtje./ a.jor.