E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Pse Kosova po përballet me inflacionin më të lartë në rajon? Shkaqet, pasojat dhe zgjidhjet – flet ekonomisti Pëllumb Çollaku

Pse Kosova po përballet me inflacionin më të lartë në rajon? Shkaqet, pasojat dhe zgjidhjet – flet ekonomisti Pëllumb Çollaku

Inflacioni në Kosovë paraqet në një ndër shqetësimet kryesore ekonomike të qytetarëve, duke ndikuar direkt në rritjen e kostos së jetesës dhe në zvogëlimin e fuqisë blerëse.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve, energjisë elektrike dhe shërbimeve të tjera bazë ka rënduar buxhetet familjare, duke prekur kështu veçanërisht kategoritë me të ardhura më të ulëta.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (projeksione), inflacioni në Kosovë parashikohet të arrijë në 6.8 për qind gjatë vitit 2026, nga 3.9 për qind sa vlerësohet për vitin 2025.

Kjo paraqet një rritje prej 2.9 pikë përqindjeje brenda një viti.

Me këtë nivel, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për nga inflacioni i parashikuar për vitin 2026.

Doktori i shkencave ekonomike, Pëllumb Çollaku në një intervistë për Telegrafin flet për faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve dhe pse Kosova po përballet me presione më të mëdha inflacioniste në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Në këtë intervistë me Çollakun, vëmendje e veçantë i kushtohet varësisë së lartë të Kosovës nga importi, ndikimit të zhvillimeve ndërkombëtare, politikave fiskale dhe kufizimeve që rrjedhin nga mungesa e një politike monetare të pavarur.

Telegrafi: Pse Kosova ka inflacionin më të lartë në rajon? Cilat janë arsyet kryesore që e kanë bërë Kosovën më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve sesa vendet e tjera të rajonit?

Çollaku: Shoku nga nafta dhe energjia goditi njëjtë të gjithë rajonin. Por, secili nga shtetet e rajonit kishin strategjitë dhe mjetet e ndryshme. Kosova ka ekonominë më të varur nga importi sesa vendet e rajonit sepse raporti eksport/import në 2025 ishte 1 me 7.5 që do të thotë se eksportet mbuluan vetëm 13,4% të importeve (BQK, 2025) dhe një pjesë e konsiderueshme e inflacionit është i importuar ku ushqimi dhe energjia kanë peshë shumë të lartë (40% vetëm ushqimi).

Pastaj, si shtet Kosova ka shumë më pak instrumente mbrojtëse sepse politika monetare është pothuajse inekzistente për shkak se përdor euron unilateralisht dhe është e varur nga politikat monetare të Bankës Qendrore Evropiane, që nënkupton se BQK nuk mund të ndryshojë normat e interesit apo kursin e këmbimit siç mundet Shqipëria, e cila ka instrumente të veta, dhe forcimi i lekut ka zbutur historikisht çmimet e importit në Shqipëri (me përjashtime). Andaj, instrument ndërhyrës mbetet politika fiskale.

Në një anë, kërkesa e brendshme është rritur sepse paga mesatare neto dhe ajo minimale u rritën, me këtë të fundit konsiderueshëm brenda një viti (43%); plus paga e 13-të në sektorin publik dhe remitencat. Por, rritja nuk reflekton rritjen e produktivitetit.

Në anën tjetër, kishte reagim më të dobët nga qeveria ndaj çmimit në rritje të karburanteve. P.sh. Mali i Zi uli akcizën e naftës me 50%, Shqipëria aktivizoi një mekanizëm automatik për uljen e akcizës, dhe Serbia e Shqipëria ngrinë çmimet.

Ndryshe, Kosova vendosi vetëm tavan të marzhës (12 cent/l në pakicë, 2 cent/l në shumicë), por refuzoi uljen e akcizës dhe të TVSH-së që rezultoi me shtrenjtim transporti dukshm më të lartë se Shqipëria dhe Maqedoninë e Veriut. Pastaj, u rritën edhe tarifat e energjisë elektrike me 16,1% në vitin 2025, dhe ky efekt mbeti në inflacion vjetor deri në pranverë 2026.

Dhe, derisa prodhimi vendor nuk mjafton, vazhdon të importohet energji me çmime tregu e cila po rëndon buxhetin dhe xhepin e qytetarit. Mbi të gjitha, dëmtoi edhe kriza e gjatë politike me zgjedhje të përsëritura dhe muaj pa institucione funksionale. Buxheti i vitit 2026 u miratua si buxhet ‘emergjent’ vetëm në shkurt, dhe fondet e Planit të Rritjes së BE-së u vonuan, duke përkeqësuar edhe më tej përgjigjen me politika adekuate.

Thënë shkurt me një shembull ilustrativ, Kosova është shtëpia jonë, por e paizoluar, sepse importon pjesën më të madhe të asaj që konsumon dhe nuk ka monedhë të vetën. Dritaret i ka të hapura sepse akciza për naftën mbeti e plotë. D.m.th. e njëjta temperaturë jashtë sjell më shumë të ftohtë brenda në shtëpinë tonë sesa në shtëpitë e izoluara më mirë e me dritare të mbyllura.

Telegrafi: A është ky inflacion kryesisht rezultat i krizave ndërkombëtare, apo ka edhe faktorë të brendshëm ekonomikë që po e përkeqësojnë situatën?

Çollaku: Të dyja. Shkëndija është e jashtme, kurse përforcimi është i brendshëm. Rritjet më të mëdha janë te transporti dhe energjia që lidhen drejtpërdrejt me naftën dhe me luftën në Lindjen e Mesme. Por, është interesante se si i njëjti shok prodhoi inflacion 2-3 herë më të ulët te vendet përreth. Kjo për faktin se struktura dhe politikat në Kosovë e kanë zmadhuar efektin. Pse? Sepse inflacioni bazë është 5,1% dhe e shtyjnë shërbimet (BQK, 2025). Shërbimet zakonisht nuk importohen, prandaj ky presion buron nga pagat dhe kërkesa e brendshme. P.sh. Vetë MINT-i konstatoi që rritjet e çmimit të importit të karburanteve kalonin menjëherë te konsumatori, kurse uljet jo. Gjithashtu. çmimet e prodhimit u rritën 7,9% (mars 2026) që tregon se kostot në zinxhirin vendor janë rritur dhe do të kalojnë më tej te çmimet e konsumit, si efekt i rritjes së kostove të ndryshme përfshi pagat. Pesha e saktë e secilës pjesë nuk mund të matet pa model ekonometrik dhe të dhëna adekuate. Por, nga sa kuptohet, diferenca e madhe me fqinjët tanë që përballen me të njëjtin çmim importi për naftë tregon që faktorët e brendshëm kanë pjesë të konsiderueshme.

Telegrafi: A po ndikon varësia e madhe e Kosovës nga importi në faktin që çmimet rriten më shpejt sesa në vendet fqinje?

Çollaku: Po. Ky është kanali kryesor, por siç elaboruam më lartë, jo i vetmi shpjegim. Pothuajse e gjithë nafta, një pjesë e madhe e ushqimit, materialet e ndërtimit dhe rryma importohen. Çdo rritje e çmimit në tregjet botërore kalon drejtpërdrejt te konsumatori. Kosto e transportit futet në çmimin e çdo produkti, sepse zinxhirët e furnizimit janë të gjatë. Kur ka pak importues në shumë segmente, si në Kosovë, konkurrenca është më e dobët, dhe rritjet e kostove kalojnë shpejt te çmimet, kurse zbritjet ngadalë. Dhe kur nuk ka zëvendësim vendor që ta frenojë çmimin, kur importi shtrenjtohet, sepse bujqësia dhe përpunimi ushqimor janë të kufizuara, p.sh. nëse nuk ka vaj vendor me çmim më të mirë, blerësi kosovar nuk ka alternativë. Edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut poashtu varen shumë nga importi, por kanë inflacion më të ulët. Varësia e shpjegon ekspozimin, por diferencën me fqinjët e shpjegojnë kryesisht politikat, sidomos taksat mbi karburantet, dhe kërkesa e brendshme.

Telegrafi: Çfarë nuk po funksionon në politikat ekonomike të Kosovës, kur vendi po regjistron inflacionin më të lartë në rajon?

Çollaku: Mendoj që instrumenti i vetëm u përdor në drejtimin e gabuar – në vend të frenave u përdor gazi. Pa politikë monetare, politika fiskale ishte freni i vetëm.

Kërkesa brendshme u rrit me rritjen lineare të pagave publike, pagën e 13-të dhe shtesën për përvojë pune (gazi) përkundër faktit që FMN-ja kërkoi shprehimisht rekomandoi që kjo rritje të rikalibrohet. Por, u refuzua ulja e përkohshme e akcizës ose të TVSH-së në karburante (freni), me argumentin e humbjes së të hyrave, e që është e pakuptueshme sepse inflacioni vetë i rrit të hyrat nga TVSH-ja (në TM1 2026, rritja e të hyrave u mbështet kryesisht nga TVSH-ja dhe tatimet direkte, BQK, 2026). Ndryshe nga ne, fqinjët përdorën mekanizma automatikë të akcizës, që Kosova nuk ka.

Ka dhe probleme strukturore të pazgjidhura, p.sh. kapaciteti i prodhimit të energjisë mbetet i pamjaftueshëm dhe varet nga importi, bujqësia dhe përpunimi kanë produktivitet të ulët, kostot e logjistikës dhe të kufirit janë të larta, dhe transporti publik është i dobët. Ndërsa, mbikëqyrja e tregut gjithashtu është e dobët. Mungojnë të dhënat publike për marzhat dhe hetimet sektoriale të konkurrencës në tregjet e ushqimit dhe të karburanteve. Dhe si ‘qershia mbi tortë’, paraliza institucionale vonoi vendimet, buxhetin, ratifikimin e marrëveshjeve financiare, dhe fondet e BE-së, pikërisht kur duhej reagim i shpejtë.

Telegrafi: A kanë dështuar masat e Qeverisë për ta mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve?

Çollaku: Kanë funksionuar pjesërisht sepse e mbrojtën të ardhurën nominale të disa grupeve, por nuk e ulën koston e jetesës dhe nuk i mbrojtën grupet më të cenueshme. Masat nuk prekën anën e kostos, si taksat mbi karburantet, dhe nuk e targetuan mbështetjen sipas nevojës. Edhe sikur marzha e fitimit të naftës të hiqej krejt, çmimi do të binte vetëm disa centë. Përgjysmimi i akcizës do ta kishte ulur rreth 0,20 €/l, duke llogaritur edhe TVSH-në që bie bashkë me të. Më tej, rritja e pensionit bazë nuk përfshin pensionet tjera, ndërsa indeksimi i pensioneve me 2.5% është shumë më i ulët dhe nuk kompenzon inflacionin prej 6–8%, dhe kjo është e vështirë për pensionistët.

Telegrafi: A duhet të ndërhyjë më fuqishëm shteti në kontrollin e tregut, sidomos në çmimet e produkteve esenciale?

Çollaku: Po, por me mençuri. Ndërhyrjet duhet të jenë të përkohshme, specifike, të targetuara dhe transparente. Ligji për Çmime Tavan sërish është aprovuar në Kuvend në prill 2026, pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë të 2023-s. Por, nga praktika e vendeve tjera, duhet patur kujdes me rreziqet e çmimeve tavan sepse ato mund të sjellin mungesë produktesh në treg, rënie të cilësisë, treg informal dhe kontestime ligjore. Mbi të gjitha, ato nuk e prekin shkakun, që është kosto e importit.

Sipas evidencës nga praktikat e vendeve tjera, ndërhyrje që funksionon më mirë është transparenca e plotë e çmimeve (p.sh. një platformë dixhitale me çmimet ditore të shportës në çdo market si në Shqipëri dhe në vende tjera të rajonit). Kjo ndërhyrje ushtron presion mbi marzhat e tregtarëve dhe oligopolit nga supermarketet e mëdha në tregun me pakicë. Pastaj, zbatimi i fortë i ligjit të konkurrencës me hetime sektoriale për kartele të mundshme dhe abuzim me pozitën dominuese p.sh. me karburantet, miellin, vajin, sheqerin, qumështin, dhe shitjen me shumicë. Monitorim i vazhdueshëm i marzhave, jo fiksim i çmimeve, me publikim të rregullt të të dhënave, ulje të përkohshme të akcizës ose dhe TVSH-së kur çmimet kalojnë një prag të paracaktuar janë ndërhyrje tjera me efikasitet. Gjithashtu, prioritet duhet të jetë mbajtja e rezervave strategjike të naftës dhe të produkteve bazë, që mund të hidhen në treg në kohë krize për të zbutur dëmet. Ndërsa, ligji i ri për produktet bazë duhet të aktivizohet vetëm me kritere publike dhe të matshme, dhe me afat skadimi. Përndryshe, ai rrezikon të shndërrohet në masa arbitrare.

Telegrafi: Çfarë nënkupton për një familje kosovare fakti që inflacioni është projektuar të jetë afro 7 për qind? Sa është dobësuar realisht fuqia e saj blerëse?

Çollaku: Shporta që në shtator 2025 kushtonte 1.000 € sot kushton rreth 1.078 €. Për të njëjtin konsum, familja paguan rreth 78 € më shumë në muaj, ose afro 940 € në vit. Thënë ndryshe, 100 € të kursyera vlejnë sot sa rreth 92,8 € të një viti më parë. Familjet me të ardhura të ulëta po goditen më shumë sepse ato shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim, energji, ngrohje, dhe transport; ndërsa janë më mirë punëtorët me pagë minimale. Fuqi blerëse kanë humbur pensionistët me indeksim prej 2,7%, familjet me të ardhura të pandryshuara, si të punësuarit me pagë të ngrirë, të punësuarit informalë ose ata që jetojnë me ndihmë sociale. Përveç humbjes së fuqisë blerëse, konsumatori kosovar po përballet edhe me fenomenin ‘shrinkflation’ apo zvogëlimi i peshës apo sasisë së njësive të një produkti të caktuar pa ulje çmimi që nuk duket se ka marrë vëmendje nga politikëbërësit, por është fenomen në rritje dhe meriton vëmendje.

Telegrafi: A po ndodh që rritja e pagave dhe pensioneve të absorbohet pothuajse tërësisht nga rritja e çmimeve?

Çollaku: Jo plotësisht për pagat, kurse për shumicën e pensioneve po. Kjo sepse paga minimale dhe mesatare u rritën si në sektorin publik dhe atë privat, por humbën ata që nuk patën rritje. Ndërsa indeksimi i ulët i pensioneve tkurri dukshëm fuqinë blerëse të pensioneve. Çështje tjetër e rëndësishme është që kur pagat rriten shpejt, pa rritje të produktivitetit, ato kalojnë te çmimet e shërbimeve. Inflacioni bazë prej 5,1% e shfaq tashmë këtë efekt. Kjo dëmton edhe aftësinë konkurruese të bizneseve dhe e mban inflacionin të lartë më gjatë.Ndërsa, të punësuarit informalë, të papunët, bujqit dhe familjet që jetojnë me ndihmë sociale e kanë më së vështiri sepse duhet ta përballojnë inflacionin tërësisht pa kurrfarë mbështetje nga qeveria.

Telegrafi: A po përfitojnë disa biznese nga situata inflacioniste, duke i mbajtur çmimet e larta edhe kur kostot e importit stabilizohen?

Çollaku: Ka sinjale konkrete në tregun e karburanteve, por nuk ka ende prova sistematike për të gjithë tregun. Monitorimi i MINT-it gjeti që uljet e çmimit të importit nuk kalonin te shitja me shumicë dhe pakicë aq shpejt sa rritjet, fenomen që njihet në literature si “raketa dhe penda” (çmimet ngjiten si raketë dhe bien si pendë). Por, ende nuk ka studim publik të marzhave në shitjen me shumicë dhe pakicë të ushqimit në vitin 2026. Pa të dhëna për çmimin e importit dhe çmimin në tregun vendor, debati mbetet në nivel përceptimi dhe anekdotik. Siç e potencova më lartë, Autoriteti i Konkurrencës duhet të nisë hetime sektoriale.

Telegrafi: A ka gjasa që inflacioni në Kosovë të vazhdojë të jetë më i larti në rajon edhe gjatë vitit 2027, rrjedhimisht a duhet të shqetësohemi për një periudhë të gjatë të inflacionit të lartë në Kosovë?

Çollaku: Me gjasë do të ngadalësohet, por do të mbetet mbi vendet e rajonit dhe mbi objektivin prej 2%. Por, mos të harrojmë, “inflacioni po bie” nuk do të thotë “çmimet po bien”. Kjo tregon vetëm që çmimet parashikohen të rriten më ngadalë, jo të bien, p.sh. çmimi i bukës nuk do kthehet nga 0.70 euro cent në 0.60 euro cent. Parashikimet e BQK-së janë për ngadalësim gradual tek rreth 4.5% në 2027 derisa parashikimet e FMN-së për vendet e rajonit ndryshojnë nga 3 deri në 3.6%. Ndërsa, arritja tek 2% pritet vetëm rreth mesit të vitit 2028. Por kjo varet edhe nga dinamikat gjeopolitike dhe lufta në Lindjen e Mesme, të cilat padëshirueshëm mund të prodhojnë vale të reja inflacioniste, dhe Kosova duhet të izolojë më mirë shtëpinë e saj në “dimra të tillë inflacionistë”. Kostoja e shtyrë e rrymës për vitin 2027 që mund të kalojë në tarifa, energjia gjatë dimrit, efektet sekondare të pagave, politikat fiskale ekspansioniste dhe ndonjë pasiguri politike janë faktorë tjerë të mundshëm që mund të prishin parashikimet. A duhet të shqetësohemi? Po, për shkak të këmbëngulësisë së inflacionit, jo për shkak të një shpërthimi. Nëse realizohen parashikimet e BQK-së, çmimet do të jenë rreth 16% më të larta në fund të 2027 se në fillim të 2025. Kjo humbje e grumbulluar e fuqisë blerëse nuk kthehet vetëvetiu, edhe kur inflacioni bie.

Telegrafi: Në përfundim, çfarë masash konkrete, urgjente duhet të ndërmerren për të parandaluar një rënie të mëtejshme të fuqisë blerëse?

Çollaku: Brenda periudhës afatshkurtër, para dhe gjatë dimrit, përveç skemës së qeverisë për mbështetje të targetuar për subvencionimin e rrymës për grupet e cenueshme, që duhet përshëndetur, duhet edhe ulje e përkohshme dhe e kushtëzuar e akcizës së karburanteve. Akciza sot është rreth 0,35 €/l. Ulja duhet të ketë një mekanizëm automatik – aktivizohet kur çmimi kalon një prag të shpallur dhe ka afat skadimi, si në Mal të Zi dhe Shqipëri. Ulja mund të financohet me të hyrat shtesë të TVSH-së që sjell vetë inflacioni. Duhet dhe indeksim plotësues i pensioneve për diferencën mes 2,7% dhe inflacionit faktik, nga janari 2027. Dhe, krijimi i një platforme publike të çmimeve ditore për shportën bazë të konsumatorit, me të dhëna nga arkat fiskale, sipas modelit të Shqipërisë.

Masat afatmesme janë strukturore e fiskale dhe kërkojnë disiplinë fiskale dhe menaxhim më të mirë të financave publike, ku rregulli fiskal duhet respektuar, koeficientët të janë në përputhje me faktet reale, dhe investimet kapitale të zbatohen në kohë. Duhen përshpejtuar kapacitetet e reja të prodhimit dhe të ruajtjes së energjisë, si dhe efiçienca e energjisë. Konsumatorët e cenueshëm duhen mbrojtur nga kalimi i kostove të shtyra të rrymës në tarifat e vitit 2027. Rezervat strategjike të naftës dhe të produkteve bazë duhet të rriten. Ndërsa, subvencionet në bujqësi dhe industri duhet të lidhen me prodhimin, jo me sipërfaqen. Duhen ulur kostot e kalimit të kufirit brenda CEFTA-s dhe duhet zhvilluar transporti publik. Zhbllokimi i fondeve të Planit të Rritjes së BE-së dhe stabiliteti institucional duhet të jenë veçmas prioritare. Ndërsa, për vendimmarrje më të mençur dhe të mirë informuar na duhen edhe statistika më të mira. ASK duhet të publikojë inflacionin sipas grupeve të të ardhurave dhe pagat me frekuencë tremujore që të kuptojmë më thellë nevojat dhe efektet e politikave. Politikëbërja duhet të mbështetet në të dhëna, e jo në perceptime e anekdota. /Telegrafi/

Lini një koment